Trupi i Papa Françeskut është varrosur të shtunën pasdite në Bazilikën e Shën Marisë së madhe në Romë në një ceremoni private.

Ndërkohë në ceremoninë që u mbajt në Vatikan morën pjesë të paktën 400 mijë njerëz, përfshirë liderë të ndryshëm botërorë. Në ceremoni pjesëmarrës ishin edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Françesku ka thyer traditën 100-vjeçare të varrimit të papëve. Ai kërkoi që të varroset në “Shën Marinë e madhe” në vend të bazilikës së Shën Pjetrit. Pra, është hera e parë që një papë nuk varroset në Vatikan, por në Romë. 

Prej sot deri më 4 maj do të mbahen mesha të përditshme ku njerëzit mund të marrin pjesë për të shprehur homazhe për vdekjen e Papa Françeskut. Kjo traditë është e njohur si “Novemdiales”.

Papa Françesku vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Ai ishte zgjedhur Papë në vitin 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, dhe e kishte zgjedhur emrin Françesk, si nderim ndaj Shën Françeskut të Asizit dhe veprave të tij ndaj të varfërve.
 

Ceremonia e varrimit:

LEXO EDHE:

Arkivoli i Papës mbërrin në kishën ku do të varroset

9 o. më parë / 26 pri 2025 12:53
Papa Françesku

Mesha e varrimit për Papa Françeskun ka përfunduar dhe tani arkivoli i tij ka mbërritur në Bazilikën “Santa Maria Maggiore” në Romë për t’u varrosur.

Vetura që barti arkivolin e Papës u largua nga qyteti i Vatikanit dhe kaloi mbi lumin Tiber, pastaj përmes qendrës së Romës deri te “Piazza Venezia”, duke kaluar pranë Koloseut, përpara se të kthehej në drejtim të veriut për të arritur në “Santa Maria Maggiore”.

Varrimi brenda kishës nuk do të jetë i hapur për publikun.

Në funeral kujtohet thirrja e Papa Françeskut për të “ndërtuar ura, jo mure”

9 o. më parë / 26 pri 2025 12:42
Dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re, bekoi arkivolin gjatë funeralit të Papa Françeskut në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan

Dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Giovanni Battista Re, bekoi arkivolin gjatë funeralit të Papa Françeskut në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan

Photo: Associated Press

Kardinali Giovanni Battista Re në predikimin e mbajtur për funeralin e Papa Françeskut, ka lavdëruar “lidershipin e tij pastoral”, i cili ka thënë se është ruajtur përmes “personalitetit të vendosur” të Françeskut.

“Ai vendosi kontakt të drejtpërdrejtë me individët dhe popujt, i etur për të qenë pranë të gjithëve, me një vëmendje të veçantë ndaj atyre në vështirësi, duke e dhënë veten pa kursim, veçanërisht ndaj të margjinalizuarve, më të vegjëlve ndër ne”, ka thënë Giovanni.

“Ai ishte një Papë mes njerëzve, me një zemër të hapur ndaj të gjithëve. Ishte gjithashtu një Papë i vëmendshëm ndaj shenjave të kohës dhe asaj që Shpirti i Shenjtë po zgjonte në Kishë”, ka shtuar ai, teksa kujtoi thënien e famshme të Françeskut për të “ndërtuar ura, jo mure”.

Liderët botërorë mblidhen për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papa Françeskut

13 o. më parë / 26 pri 2025 08:30
Liderët botërorë

Ceremonia e varrimit e Papa Françeskut po mbahet sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku po marrin pjesë 130 delegacione, përshirë 10 monarkë e 50 krerë shtetesh, në mesin e tyre presidenti amerikan, Donald Trump, kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe shumë të tjerë që do t’i japin lamtumirën e fundit atij.

Papa, lideri shpirtëror i 1.4 miliardë katolikëve, ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare në rezidencën e tij në Vatikan të hënën, pas një sulmi në tru, transmeton The Guardian.

Ai ishte duke u rikuperuar nga pneumonia e dyfishtë, si pasojë e të cilës kishte mbetur i shtrirë në spitalin Gemelli të Romës për 5 javë.

Ndërkohë, të paktën 250,000 njerëz raportohet se po marrin pjesë në funeralin e Papa Françeskut.

Dhjetëra mijëra kanë shkuar në qytetin e Vatikanit gjatë dy ditëve të fundit për t’i bërë nderimet e tyre Papës së ndjerë.

Liderët shqiptarë në mesin e dhjetëra të tjerëve në ceremoninë për Papa Françeskun

12 o. më parë / 26 pri 2025 09:45
Prijës fetarë shqiptarë

Në mesin e liderëve botërorë të shtunën në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut janë prezentë edhe ata shqiptarë.

Presidentët shqiptarë Bajram Begaj e Vjosa Osmani bashkë me udhëheqës të komuniteteve fetare kanë kryer homazhe në Vatikan një ditë më parë.

E, në ceremoninë e varrimit, 26 prill, atje do të jetë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në kryeqendrën e Italisë, Romë, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.