Parlamenti i Libanit ka zgjedhur të enjten shefin e ushtrisë të mbështetur nga SHBA-ja, për të qenë presidenti i ardhshëm i vendit, duke i dhënë fund një ngërçi politik shumëvjeçar dhe vakumi presidencial.
Shefi i ushtrisë, Joseph Aoun, është votuar për president pas dy rundeve të votimit, raporton CNN.
Votimi erdhi pas një përpjekjeje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite për të mbledhur mbështetje për Aoun, i cili është i afërt si me me Washingtonin ashtu edhe me Riadin.
Libani ka mbetur pa president që nga përfundimi i mandatit të ish-presidentit Michel Aoun, i cili nuk ka lidhje me Joseph Aoun, në tetor të vitit 2022.
Ish-presidenti u mbështet nga Hezbollahu, një grup i mbështetur nga Irani. Negociatat mbi pasardhësin e tij ishin të pasuksesshme, duke ringjallur tensionet midis kampeve pro-perëndimore dhe pro-iraniane të vendit.
Përpara sesioneve parlamentare të së enjtes, ka pasur 12 përpjekje të dështuara për të zgjedhur një president gjatë dy vjetëve të fundit.
Një marrëveshje armëpushimi e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që i dha fund një lufte midis Hezbollahut dhe Izraelit nëntorin e kaluar, duket se ka përshpejtuar gjithashtu zgjedhjen e presidentit.
Hezbollahut pësoi goditje të rënda nga sulmet izralite, që u pasua menjëherë nga rënia e presidentit sirian, Bashar al-Assad, i mbështetur nga Irani, i cili kishte hapur territorin e tij për kalimin e armëve të Hezbollahut nga Irani nëpërmjet Irakut fqinj.