Një ministër i kabinetit libanez ka deklaruar të hënën se do të bëhet një "vlerësim i dëmeve" në ndërtesat në periferitë jugore të Bejrutit që u dëmtuan nga sulmet ajrore izraelite.
“Rindërtimi është një çështje themelore dhe jetike, një synim parësor dhe një çështje me interes për të gjithë, në radhë të parë për kryeministrin, i cili po punon pa u lodhur për ta çuar përpara atë”, ka deklaruar në një konferencë për shtyp në kryeqytetin Bejrut, ministri në detyrë i Punëve Publike dhe Transportit, Ali Hamie, raporton AP.
Izraeli ka kryer sulme të rënda në periferitë jugore të Bejrutit përpara se armëpushimi të hynte në fuqi më 27 nëntor, duke goditur objektivat në lagjet si Dahiyeh, ku ishte selia e Hezbollahut.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 27 nëntor, ushtria izraelite ka kryer operacione pothuajse ditore në Libanin jugor.
Këto veprime kanë vrarë të paktën 27 persona, kanë plagosur më shumë se 30 dhe kanë shkatërruar ndërtesa banimi, duke përfshirë një xhami.
Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, i cili i dha fund luftës 14-mujore, kërkon që Hezbollahu dhe forcat izraelite të tërhiqen nga Libani jugor brenda 60 ditëve, duke lejuar trupat libaneze të vendosen gradualisht në jug të lumit Litani.