Një kabllo nënujore me fibra optike midis Letonisë dhe Suedisë është dëmtuar të dielën, si rezultat i ndikimit të jashtëm, ka bërë të ditur Riga zyrtare, duke shtuar se marina e saj ka dërguar një varkë patrullimi për të inspektuar një anije të dyshuar për përfshirje.
Dy anije të tjera në zonë ishin gjithashtu objekt hetimi, ka bërë të ditur marina e Letonisë.
"Ne kemi përcaktuar se ka shumë të ngjarë të ketë dëme të jashtme”, u ka thënë gazetarëve kryeministrja letoneze, Evika Siliņa, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë, raporton The Guardian.
Letonia po koordinohet me NATO-n dhe vendet e rajonit të Detit Baltik për të sqaruar rrethanat, ka thënë ajo në një postim në X.
NATO-ja ka bërë të ditur javën e kaluar se do të vendosë avionë patrullimi dhe dronë detare në Detin Baltik për të ndihmuar në mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe ka thënë se do të ndërmerrte veprime kundër anijeve të dyshuara se paraqesin një kërcënim sigurie.
Aleanca ushtarake ka ndërmarrë aksionin, të quajtur "Baltic Sentry", pas një sërë incidentesh në të cilat kabllot e energjisë, lidhjet e telekomit dhe tubacionet e gazit janë dëmtuar, që kur ka nisur lufta në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.