Botë

Le Pen: Ne nuk do të lejojmë që zgjedhjet presidenciale të vidhen

Marine Le Pen

Foto: Associated Press

Liderja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen, ka deklaruar të martën se partia e saj Tubimi Kombëtar nuk do të lejojë që “zgjedhjet presidenciale të popullit francez të vidhen”. Këto komente ajo i ka bërë pas verdiktit gjyqësor të së hënës që e ndalon atë të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2027, shkruan The Guardian.

Në deklaratat e raportuara nga mediat franceze, ajo ka thënë se është e përkushtuar të “mbrojë popullin francez, të cilët kanë të drejtën për të votuar këdo që ata dëshirojnë”. 

Le Pen e ka krahasuar verdiktin kundër saj me një “bombë nukleare” të lëshuar “nga sistemi”, duke argumentuar se “nëse ata përdorin një armë kaq të fuqishme kundër neve, kjo ndodh për shkak se ne jemi afër t’i fitojmë zgjedhjet”. 

“Ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë”, ka shtuar ajo. 

Komentet Le Pen i ka bërë disa orë pas deklaratave të presidentit të Tubimit Kombëtar – dhe tanimë kandidatit potencial për zgjedhjet e ardhshme presidenciale – Jordan Bardella, i cili ka bërë thirrje për “mobilizim paqësor”, me protesta dhe shpërndarje të fletushkave të planifikuara këtë fundjavë për t’i dalë në krahë Le Penit.

Bardella ka shtuar se një fushatë elektronike, e filluar mbrëmë, ka grumbulluar “qindra mijëra” nënshkrime, dhe se aktivitete të tjera priten në ditët në vazhdim.

Le Pen, është dënuar të hënën për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian për ta financuar partinë e saj Tubimi Kombëtar. 

Le Pen është dënuar me katër vjet burgim – prej tyre dy me kusht - dhe i është ndaluar për pesë vjet kandidimi për poste publike me efekt të menjëhershëm, duke e përjashtuar atë nga gara presidenciale e 2027-s. 

Vendimi nuk është përfundimtar, pasi ajo mund ta apelojë.

Bashkë me të janë shpallur fajtorë edhe tetë deputetë të partisë së saj prej 24 sa ishin të akuzuar për rastin.