Botë

Lavrov: Do të vazhdojmë t’i qëllojmë vendet e ushtrisë ukrainase

Sergei Lavrov

Rusia do të vazhdojë t'i ketë cak vendet që shfrytëzohen nga ushtria ukrainase, ka deklaruar ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka raportuar të dielën Reuters.

Kryediplomati rus u shpreh kështu pasi presidenti ukrainas, Voldoymyr Zelensky, tha se Rusia gjatë një dite i ka kryer mbi 70 sulme.

Lavrov shtoi se sulmi vdekjeprurës me raketa në një objekt banimi në Kiev javën e kaluar “nuk ishte absolutisht objektiv civil”.

“Ne do të vazhdojmë t’i shënjestrojmë vendet që shfrytëzohen nga ushtria e Ukrainës, nga disa mercenarë të vendeve të huaja dhe nga instruktorët, të cilët evropianët i dërguan zyrtarisht për të ndihmuar në shënjestrimin e vendeve civile ruse”, ka thënë Lavroc për CBS-në, në një intervistë që u regjistrua të enjten e shkuar.

Sulmi në Kiev që i la të paktën 12 të vrarë, nxiti reagim të madh nga presidenti amerikan, Donald Trump ndaj atij rus, Vladimir Putin.

“Vladimir, STOP!”, pati shkruar Trump në rrjetin e tij social.

Zelensky ka thënë të dielën se situata është e vështirë, derisa lufta po zhvillohet në disa fronte.