Botë

Largohet pengesa e fundit e Suedisë drejt anëtarësimit në NATO

Hungaria ishte e fundit nga 31 shtetet anëtare të NATO-s që e ratifikoi kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në aleancën transatlantike

Parlamenti i Hungarisë të hënën ka ratifikuar kandidaturën e Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s, duke u dhënë fund vonesave mbi 18-muajshe që frustruan aleancën e cila po synon të zgjerohet në reagim ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Votimi, që kaloi me 188 vota pro e gjashtë kundër, i dha fund përpjekjeve disamujore të aleatëve të Hungarisë që ta bindin qeverinë nacionaliste ta heqë bllokadën ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancës.

Qeveria e kryeministrit Viktor Orban dorëzoi protokollin për ta aprovuar anëtarësimin e Suedisë në NATO qysh në korrik të vitit 2022, por çështja stagnoi në Parlament pas kundërshtimeve nga deputetët e pushtetit.

Vendimi i të hënës hapi rrugën për zgjerimin e dytë të NATO-s brenda një viti, pasi Suedia e Finlanda të dyja aplikuan për anëtarësim në aleancë në maj të vitit 2022 pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Finlanda iu bashkua aleancës në prill të vitit të kaluar.

Që një vend të anëtarësohet në NATO, duhet ta ketë përkrahjen unanime nga gjithë shtetet anëtare. Hungaria ishte e fundit nga 31 shtetet anëtare që hoqi bllokadën ndaj Suedisë. Turqia kishte hequr bllokadën ndaj anëtarësimit të Suedisë muajin e kaluar.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, e quajti “ditë historike”.

“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë për sigurinë e NATO-s”, ka shkruar Kristersson në platformën “X”.

Kryeministri hungarez Orban, një popullist i krahut të djathtë që ka krijuar lidhje të ngushta me Rusinë, kishte thënë se kritikat ndaj demokracisë së Hungarisë nga politikanët suedezë kishin acaruar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kjo çoi te hezitimi në mesin e deputetëve të partisë së tij “Fidesz”.

Por, duke iu adresuar deputetëve para votimit, Orban tha: “Bashkëpunimi ushtarak mes Suedisë dhe Hungarisë dhe anëtarësimi i Suedisë në NATO forcon sigurinë e Hungarisë”.

Orban ka kritikuar aleatët e Hungarisë në Bashkim Evropian dhe NATO që i kanë bërë presion në muajt e fundit për të hequr bllokadën ndaj Suedisë.

“Disa persona nga jashtë tentuan të ndërhynin për të zgjidhur mosmarrëveshjet (me Suedinë), por kjo nuk ndihmoi, përkundrazi pengoi çështjen. Hungaria është shtet sovran. Nuk toleron të diktohet nga tjerët”, tha Orban.

Fundjavën e kaluar, një grup i senatorëve amerikanë, të përbërë nga demokratë e republikanë, vizituan Hungarinë dhe paralajmëruan një rezolutë të përbashkët në Kongres ku do të dënohej rënia e Hungarisë sa i përket demokracisë e ku do t’i bëhej thirrje qeverisë së Orbanit që ta miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Të hënën, ambasadorët e disa shteteve të NATO-s ishin në sallën e Kuvendit të Hungarisë gjatë votimit. Ambasadori i SHBA-së në Hungari, David Pressman, u tha gazetarëve se aprovimi i Suedisë ishte “vendim i rëndësisë strategjike për SHBA-në, për Hungarinë dhe për gjithë aleancën transatlantike”.

“Ka qenë vendim që ka marrë kohë dhe ne po presim me padurim që procesi të përfundohet shpejt”, ka thënë Pressman.

Nënshkrimi nga presidenti, që duhet që formalisht ta aprovojë kandidaturën e Suedisë në NATO, pritet brenda pak ditëve.

Kryeministri i Suedisë, Kristersson, u takua javën e kaluar me Orbanin në Budapest, ku u arrit edhe ai pajtim vendimtar pas muajve të tensioneve diplomatike.

Pas takimit, liderët treguan për një marrëveshje në industrinë e mbrojtjes ku Hungaria do të blejë katër aeroplanë luftarakë suedezë JAS 39 Gripen dhe do të zgjasë kontratën e shërbimit për flotën ekzistuese të aeroplanëve Gripen që i ka.

Orban ka thënë se aeroplanët shtesë “do të rrisin dukshëm aftësitë ushtarake të Hungarisë” e po ashtu edhe do ta përmirësojnë aftësinë e Hungarisë që të marrë pjesë në operacione të përbashkët të NATO-s.