Botë

Lamtumira e Papës së Popullit

Papa varrimi

Foto: Associated Press

Fundi i një epoke u shënua të shtunën në Vatikan. Qindra mijëra njerëz i dhanë lamtumirën një pape që zgjodhi përulësinë para pushtetit. Mesha e varrimit përcolli figurën e një shërbëtori të paqes, të dashurisë dhe i të dobëtëve. Papa Françesku u largua siç jetoi: pranë popullit

Kambanat e Bazilikës së Shën Pjetrit ranë për ta shënuar fundin e funeralit të Papa Françeskut në qytetin e Vatikanit, ku me qindra mijëra qytetarë të pikëlluar u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit atij që u shqua si mbrojtës i emigrantëve dhe i të varfërve.

Mesha e funeralit u mbajt në shkallët e bazilikës, një nga vendet më të rëndësishme të Kishës Katolike, nën praninë e më shumë se 50 udhëheqësve botërorë dhe 11 monarkëve në pushtet. Ata përfshinin presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe ish-presidentin Joe Biden, presidentin argjentinas, Javier Milei, kryeministren italiane, Giorgia Meloni dhe presidentin filipinas, Ferdinand Marcos Jr. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky gjithashtu mori pjesë.

Turmat që u mblodhën për meshë në sheshin e Shën Pjetrit qëndruan kryesisht në heshtje, duke e thyer atë vetëm për të kënduar, për të ndjekur lutjet dhe për të duartrokitur kur panë arkivolin e Françeskut. Arkivoli modest u kthye në bazilikë për herë të fundit në fund të ceremonisë afërsisht dy-orëshe. Më pas u nis marshimi ceremonial përtej lumit Tiber në Bazilikën e Santa Maria Maggiores për varrim, duke kaluar pranë Koloseut të lashtë të Romës gjatë rrugës.

“E desha që nga momenti i parë, sepse ishte njeri me zemër të madhe”, ka thënë Anita Althaus, besimtare nga Gjermania, pikërisht kur mbaroi mesha e varrimit. Për të mbërritur me kohë në ceremoni, ajo ka ngarë veturë gjatë gjithë natës. “Ati kishte gjithmonë shumë dashuri”.

“Ndërtoni ura, jo mure”

Më shumë se 250 mijë njerëz morën pjesë në ceremoninë në sheshin e Shën Pjetrit, sipas Vatikanit. Rreth 150 mijë të tjerë u rreshtuan në kortezhin prej 6 kilometrash nga Qyteti i Vatikanit nëpërmjet Romës deri në vendin e tij të fundit të prehjes.

Shumë nga 1.4 miliardë katolikët e botës e ndoqën funeralin e papës së parë latino-amerikan në televizione.

Papa Françesku vdiq në moshën 88-vjeçare pasi pësoi një sulm në tru të hënën e Pashkëve, vetëm një ditë pasi u shfaq në të njëjtin shesh për t’ua ofruar bekimin besimtarëve në pikën kulmore të kalendarit të krishterë.

Në ditët që pasuan, rreth 250 mijë besimtarë bënë nderimet e tyre të fundit teksa trupi i tij u ekspozua në arkivol të hapur brenda Bazilikës së Shën Pjetrit. Arkivoli i tij u mbyll zyrtarisht të premten në mbrëmje, në një rit liturgjik të udhëhequr nga kardinali Camerlengo Kevin Farrell, udhëheqës në detyrë i kishës.

Gjersa rrezet e diellit shkëlqenin mbi shtyllat masive të sheshit të Shën Pjetrit të shtunën në mëngjes, mesha e varrimit u hap me vargjet në latinishte të këngës: “Pushim të përjetshëm i jep atij, o Zot, dhe dritë e përjetshme le të shkëlqejë mbi të”.

Tek e kreu lutjen, kardinali italian Giovanni Battista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve, ka thënë se “sjelljet dhe këshillat e Françeskut në mbështetje të refugjatëve dhe personave të zhvendosur janë të panumërta”. “Këmbëngulja e tij për të punuar në emër të të varfërve ishte e vazhdueshme”, ka shtuar ai.

Kardinali e vazhdoi lutjen duke thënë se, gjatë kohës së tij në krye të Kishës, Papa Françesku ka qenë i përballur me “luftëra të përgjakshme, me tmerret e tyre çnjerëzore” dhe kishte “ngritur vazhdimisht zërin e tij duke kërkuar paqe... dhe duke organizuar negociata për të gjetur rrugëdalje”.

“Ndërtoni ura, jo mure ishte një thirrje që Françesku e përsëriti shumë herë”, ka thënë Battista Re.

Kardinalët gjithashtu mbajtën lutje të shkurtër në shumë gjuhë të tjera, duke përfshirë frëngjishten, arabishten, portugalishten, polonishten, gjermanishten dhe, për herë të parë, edhe në gjuhën mandarine, që të nderohej një Papë, i cili kërkonte të arrinte tek ithtarët në të gjitha pjesët e globit.

Në përputhje me traditën, Kungimi i Shenjtë u shpërnda së pari midis kardinalëve dhe më pas midis turmës në shesh. Atmosfera u kthye në pozitive teksa njerëzit iu drejtuan njëri-tjetrit për të shtrënguar duart në mënyrë paqeje teksa turmat lironin hapësirën që për të lënë të tjerët të kalonin për kungim.

I pari për shumëçka

Papa Françesku e kishte miratuar rregullimin e procedurave të varrimit papnor në qershor të vitit 2024. Ai pati kërkuar t’i thjeshtësonte dhe t’i përshtaste procedurat, në mënyrë që funerali papnor të ishte “i një pastori dhe dishepulli të Krishtit, dhe jo i një personi të fuqishëm në këtë botë”, sipas zyrtarëve të Vatikanit.

Françesku, i cili e zgjodhi emrin e tij për nder të Shën Françeskut të Asizit, me angazhimin e tij ndaj varfërisë, paqes dhe natyrës, gjithashtu donte të pasqyronte përkushtimin e tij ndaj të pastrehëve.

Ai besonte se “të varfrit kanë një vend të privilegjuar në zemrën e Zotit”, thuhej në një deklaratë të Selisë së Shenjtë. Për këtë arsye, një grup njerëzish të varfër dhe në nevojë qenë të pranishëm në shkallët që çojnë në Bazilikën papnore të Santa Maria Maggiore për t’i bërë nderimet e fundit Papa Françeskut para varrimit.

Me “këmbënguljen” e tij, grupe njerëzish që Françesku mendonte se ishin të margjinalizuar u ftuan gjithashtu të ndiqnin shërbesën në Sheshin e Shën Pjetrit. Personat e ftuar u zgjodhën nga organizata bamirëse “Sant’Egidio” dhe ata përfshinin të pastrehë, emigrantë, të varfër dhe një grup grash transgjinore që jetojnë në një manastir në Romë.

Françesku është Papa i parë në më shumë se tre shekuj që u varros në Santa Maria Maggiore, me varrimin që u zhvillua larg syrit të publikut.

Motra Evelyn i ka thënë CNN-it se zgjodhi të qëndronte në Santa Maria Maggiore të shtunën në vend se në Vatikanit, ngase puna e vërtetë e papës ishte midis njerëzve.

“Unë punoj në periferi dhe kur e takuam Papa Françeskun, ai na dëgjonte”, ka thënë ajo tek i shpalosi njohuritë e Papës për kishën afrikane. “Po papa i ri, a do të na dëgjojë? Kjo pyetje po parashtrohet tani”.

Françesku qe një papë që për shumë çka ishte i pari – qe papa i parë latino-amerikan, i pari i urdhrit jezuit dhe papa i parë modern i lindur jashtë Evropës.

Papa i popullit

I zgjedhur në vitin 2013 si kandidat i jashtëm nga Argjentina, Françesku vazhdoi të nxiste reforma progresive, duke përfshirë promovimin e roleve të grave në kishë.

Por udhëheqja e tij 12-vjeçare nuk ishte pa kritika. Ai ndërmori disa hapa të rëndësishëm për të adresuar skandalet e abuzimit seksual klerikal të Kishës Katolike, por aktivistët dhe të mbijetuarit thonë se ka ende shumë për të bërë.

Ndarjet brenda Kishës mbi marrëdhëniet e së njëjtës gjini vazhduan gjithashtu gjatë gjithë udhëheqjes së tij. Kur u pyet për qëndrimin e tij mbi orientimin seksual, Papa pati thënë në mënyrë të famshme: “Kush jam unë për të gjykuar?”. Ai pati vazhduar të autorizonte bekimet e çifteve të së njëjtës gjini, megjithëse nuk e ndryshoi zyrtarisht doktrinën e Kishës.

Dhe historia e tij u denigrua nga disa nga kardinalët dhe anëtarët më konservatorë të Kishës.

Françesku pati qortuar edhe politikën e imigracionit të administratës së presidentit Donald Trump gjatë këtij vit dhe e kritikoi përdorimin e teologjisë nga zëvendëspresidenti JD Vance për të mbrojtur qasjen e saj. Vance ishte një nga njerëzit e fundit që u takua me Papën, të Dielën e Pashkëve.

Papa i ardhshëm do të zgjidhet nga kardinalë nga e gjithë bota në një konklavë, proces me dyer të mbyllura që mund të ketë një “betejë” midis atyre që duan të vazhdojnë rrugën progresive të Papa Françeskut dhe atyre që duan ta ndryshojnë atë.

Candela Rodruguez, studente në Romë por nga Sevilla e Spanjës, i ka thënë CNN-it se shpreson që Papa i ardhshëm të jetë i ngjashëm me Françeskun dhe jo ekstravagant. Dhe afër njerëzve, siç ishte ai.

Katolikët në të gjithë botën kanë mendime të ndryshme, por shumë besimtarë të mbledhur në Qytetin e Vatikanit këtë javë thanë se janë krenarë për Françeskun.

“Papa bëri shumë për t’i vënë njerëzit e margjinalizuar në radhë të parë”, ka deklaruar Federico Burlon, nga Argjentina, teksa priste të hynte në kolonadën e Sheshit të Shën Pjetrit herët të shtunën. “Shpresoj që Papa i ardhshëm do të vazhdojë rrugën e tij për ta kthyer Kishën te njerëzit e varfër”.

“Ai ishte një njeri shumë i thjeshtë, që i donte njerëzit e tjerë”, ka thënë motër Luisa,  murgeshë nga Mynihu. “Ndihemi shumë të bekuar, por edhe të pikëlluar thellë”.