Më 8 qershor, Izraeli nisi operacionin e tij për t’i liruar katër pengjet në kampin “Nuseirat”, në Gazën qendrore. Më shumë se 270 palestinezë janë vrarë dhe 698 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve të shëndetësisë në Gazë. Gjatë operacionit, ushtarët janë futur në shtëpinë e familjes Miqdad. Ata kanë rrëfyer për tmerret që kanë përjetuar gjatë kësaj bastisjeje, ku ndër të tjerë është plagosur rëndë një fëmijë dhe është vrarë 12-vjeçari Yamen
Vrimat e plumbave mbulojnë murin e gjakosur të shtëpisë së familjes Miqdad, në kampin “Nuserirat”, në Gazën qendrore.
Në shtëpi shihet një ari pelushi në një dollap të bardhë dhe në një dhomë tjetër ndodhet nëna e katër fëmijëve, Rasha Abdel Miqdad, e cila dridhet nga pikëllimi, para se të shpërthejë në lot.
“Ky është gjaku i djalit tim, Yamen. E bekoftë Zoti shpirtin e tij”, ka thënë 32-vjeçarja palestineze. “Djali im ka qenë i pafajshëm. Ne jemi civilë dhe nuk kemi lidhje me rezistencën ose ndonjë fraksion. Ne nuk kemi lidhje me të fare”.
CNN-i ka folur me shtatë anëtarë të familjes, të cilët e kanë përshkruar tmerrin nga të shtënat e armëve dhe bombardimet rreth shtëpisë së tyre më 8 qershor. Sipas anëtarëve të familjes, forcat izraelite janë futur në ndërtesë për të kërkuar për militantë dhe duke qëlluar pa dallim. Sipas familjes, katër persona janë qëlluar nga plumbat, prej tyre një fëmijë i plagosur rëndë dhe 12-vjeçari Yamen i vrarë. Sipas tyre, ushtarët i kanë marrë në pyetje dhe i kanë rrahur të afërmit burra dhe e kanë detyruar një fëmijë të zhvishet.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), më 16 qershor kanë publikuar pamje, në të cilat shihen forcat në shtëpinë e Miqdadëve, në të njëjtën ditë me operacionin e shpëtimit të pengjeve aty afër. Në videon e edituar, anëtarët e Batalionit të Zbulimit të Parashutistëve duken se futen në shtëpi, por nuk tregohet se çfarë ka ndodhur në katin e tretë, ku familja thotë se është sulmuar.
Pretendimet krijojnë një vështrim në shkallën dhe forcën e këtij operacioni izraelit për t’i liruar pengjet e marra nga sulmi i tetorit në Izrael. Dëshmitarët thonë se janë akoma të traumatizuar, pasi më shumë se 270 palestinezë janë vrarë dhe 698 të tjerë janë plagosur më 8 qershor, sipas autoriteteve në Gazë. Stafi i shëndetësisë ka thënë se spitalet, veç se të stërmbushura përtej limiteve të tyre, janë tej mase të ngarkuara.
Shkalla shumë e lartë e viktimave të raportuara ka nxitur paralajmërime të reja nga organizatat e të drejtave të njeriut, që thonë se Izraeli nuk është duke bërë mjaftueshëm për t’i mbrojtur civilët teksa e vazhdon luftën e tij dhe se militantët janë duke i rrezikuar jetët e palestinezëve.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR) ka paralajmëruar se forcat izraelite dhe grupet e armatosura palestineze mund të kenë kryer krime gjatë veprimeve të tyre. Përfaqësuesi i OHCHR-së, Jeremy Laurence, ka thënë se operacioni izraelit “vë seriozisht në pikëpyetje se a janë respektuar parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe kujdesit” dhe se, duke i mbajtur pengjet në zonat e populluara dendësisht, grupet e armatosura palestineze janë “duke i vendosur në rrezik jetët e civilëve palestinezë, si dhe të vetë pengjeve”.
Nuk është e qartë se sa prej të vrarëve janë militantë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë nuk i dallon civilët nga luftëtarët. Por ministria ka thënë se shumë nga të prekurit kanë qenë gra dhe fëmijë, si dhe njerëz që janë larguar rishtas nga ofensiva izraelite në qytetin jugor, Rafah.
IDF-i i ka kundërshtuar numrat e ministrisë, duke pretenduar se viktimat nga operacioni kanë qenë “më pak se 100”.
IDF-i ka thënë se ekipet e forcave speciale kanë nisur operacionin e shpëtimit në kampin “Nuseirat” pas orës 11 të mëngjesit dhe në ora 11:25 kanë filluar bastisjet në të dy ndërtesat ku pengjet kanë qenë duke u mbajtur. Pas shkëmbimit të zjarrit me militantët dhe pasi zona përreth u mbush me raketa dhe predha izraelite, forcat speciale i kanë shpëtuar pengjet dhe kanë filluar të largohen nga kampi, drejt zonës afër portit ushtarak amerikan në gjirin e Mesdheut.
Gjatë këtij rrugëtimi, forcat izraelite janë futur në shtëpinë e Miqdadëve për rreth 30 deri 45 minuta, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve nga CNN. Zjarr dhe re nga tymi dalin prej automjeteve të shkatërruara nga operacioni, sipas pamjeve të realizuara në orën 1:10 pasdite. Civilët vajtojnë mbi trupat e vendosur njëri mbi tjetrin, teksa fëmijët e vegjël e shikojnë qiellin nga mosbesimi. Në një pjesë, anëtarët e familjes shihen duke e bartur fëmijën e lënduar për në veturë, ndërsa dronët izraelitë fluturojnë mbi ta.
Shtëpia e familjes Miqadad qëndron rreth 1.5 kilometra nga vendi ku janë mbajtur pengjet, sipas analistëve të videove të CNN-it.
“Ata nuk lanë gjë pas. Gjithçka është shkatërruar”, ka thënë Rasha. “Kjo dhomë është e mbushur me gjak. Rrobat e fëmijëve të mi janë të mbuluara me gjak”.
“Nuk ka vend të sigurt...asnjë vend ku të mund të mbrohemi”, ka shtuar ajo.
Izraeli e ka nisur ofensivën e tij ushtarake në Gazë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izraelin jugor, ku janë vrarë rreth 1200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 250 të tjerë.
Sulmet izraelite në Gazë, që atëherë kanë vrarë 37.598 palestinezë dhe kanë plagosur të paktën 86.032 të tjerë, sipas zyrtarëve shëndetësor të Gazës.
"Është dukur si tërmet”
Zjarri nga artileria dhe raketat ka shpërthyer afër shtëpisë së familjes Miqdad, para se të futeshin në shtëpi forcat izraelite më 8 qershor, ka thënë babai, Mohammadi.
Ai ka thënë se e ka mbledhur familjen e tij – rreth 14 anëtarë, shumica gra dhe fëmijë – në një dhomë. Familja është dridhur nga frika ndërsa zërat e ushtarëve janë afruar, deri kur, sipas tyre, trupat kanë shkelmuar derën, kanë hapur zjarr pa dallim, kanë hedhur granata dhe ua kanë drejtuar armët fëmijëve.
“Ata janë futur në apartamentin tonë dhe kanë filluar të qëllojnë, duke thënë, ‘Kush është këtu, kush është këtu?’ Ne u treguam se jemi civilë, gra dhe fëmijë”, ka thënë Mohammadi.
Rasha ka thënë se bastisja “është dukur si tërmet”, duke shtuar se ushtarët ua kanë konfiskuar celularët atyre. “Ata mbanin armë, duke i drejtuar drejt një foshnje 8 muajshe dhe një foshnje 4 muajshe”.
Trupat izraelite i kanë arrestuar dy burrat që ishin prezentë dhe kanë kërkuar të dinin nëse ka ndonjë militant në ndërtesë, ka thënë Mohammadi. Ai dhe vjehrri i tij, Abdul Raouf, 58-vjeçar, janë përpjekur të deklaroheshin të pafajshëm. Pastaj, ata pretendojnë, se ushtarët me forcë iu kanë vendosur qese në kokat e tyre, iu kanë lidhur duart pas shpinës dhe i kanë dhunuar fizikisht.
Djali i dytë më i madh i Mohammadit, Ahmadi, është akoma i tmerruar nga sulmi. 13-vjeçari ka thënë se ai arrinte t’i dëgjonte ushtarët, duke ia rrahur babanë dhe gjyshin në korridor. Pastaj ka pretenduar se edhe ai është detyruar të zhvishej. Ushtarët i kanë thënë t’i vishte rrobat, para se ta largonin nga dhoma dhe ta “goditnin”, ka thënë ai duke treguar me gisht te fytyra.
“Ai më ka kërkuar t’i heq rrobat për t’u siguruar se isha djalë i vogël”, ka thënë Ahmadi. “Ai më ka hedhur në tokë dhe m’i ka mbuluar sytë. Ai ka dashur të më lidhte, por unë fillova të gjuaja me këmbë, prandaj ai vendosi këmbën këtu”, ka thënë ai, duke treguar me gisht te qafa. “Më ka shkelur për të ma mbyllur gojën. Ata donin të më vrisnin”.
Mohammadi ka thënë se para se të largoheshin forcat izraelite, ata kanë kërcënuar të qëllonin të afërmit e tij, pas së cilës ka dëgjuar krismat e armën.
“Ushtari ka thënë: ‘Nëse nuk më tregoni se ku janë luftëtarët e rezistencës dhe ku i keni armët në shtëpi, do t’jua vras fëmijët”, ka thënë Mohammadi. “Ai ka shkuar në dhomë”, ka thënë ai, duke iu referuar pjesës së shtëpisë ku ndodheshin gratë dhe fëmijët, duke shtuar, “Pas një minute, dëgjova krismat e armës së zjarrit”.
“Në atë moment, ne supozuam se vëllezërit e mi janë vrarë”.
Nuk është e qartë nëse ndonjëri nga anëtarët e familjes është goditur gjatë raundit të dytë të të shtënave.
Forcat izraelite kanë qenë në shtëpi për 45 minuta, kanë thënë anëtarët e familjes. Kur në fund ata janë larguar, Mohammadi, akoma me sy të mbuluar, ka thënë se e ka thirrur Rashan për t’ia hequr qesen nga koka. Ata thonë se djemtë e tyre kanë qenë të mbuluar me gjak për shkak të lëndimeve nga plumbat.
Njëri nga fëmijët e tyre, Mumen 16-vjeçar, ka thënë se është goditur në shpatull dhe abdomen, ndërsa vëllai i tij i vogël, Yameni 12-vjeçar, ka pasur lëndime në abdomen dhe këmbë.
“Kam thirrur ambulancën, por më kanë thënë se nuk mund të vijnë për shkak se zona është e rrezikshme”, ka thënë Mohammadi.
Në vend të kësaj, familja ka nxituar për në veri në spitalin “Al-Awda”. Por për Yamenin, ishte shumë vonë. “Ata i dhanë frymëmarrje artificiale për 10 minuta, por tashmë ai ishte martir”, ka thënë Mohammadi.
“Masakrat” në spitalet lokale
Në pamjet e zonës, të marra nga CNN-i, shihen të mbijetuarit duke nxituar mbi rrënoja, ndërsa raketat fluturojnë përgjatë qiellit. Ndërtesa të tëra janë rrëzuar. Burrat dhe djemtë palestinezë me delikatesë i mbulojnë trupat e të vdekurve me batanije, duke u përpjekur për t’u dhënë dinjitet të vrarëve nga operacioni i Izraelit.
Punonjësit e spitalit kanë thënë se nuk kanë mundur ta menaxhonin valën e viktimave nga bastisja, e cila është kryer kur rrugët dhe tregjet kanë qenë të mbushura me njerëz. Të paktën 250 palestinezë të lënduar në “Nuseirat” janë transferuar nga spitali “Al-Aqsa Martyrs” në atë “Nasser”, sipas autoriteteve të shëndetësisë.
Spitali “Al-Aqsa” është duke trajtuar gati pesë herë më shumë pacientë, sesa që kishte para luftës, me vetëm një gjenerator elektrik, ka raportuar më 10 qershor Zyra e OKB-së për Çështje Humanitare. Pamjet nga oborri i spitalit, të realizuara më 8 qershor, tregojnë kamionë me trupa të mbuluar dhe burra që përpiqen të ngushëllojnë fëmijët e tronditur, teksa një numër i madh palestinezësh thërrasin për mjekë.
“Ka pasur shumë martirë që jetonin në rrugë”, ka thënë nëna e Rashas, 54-vjeçare. “Rruga ka qenë e mbushur me njerëz dhe avionët qëllonin”.
Mungesa e burimeve kritike si barnat kundër dhimbjeve në spitalin “Al-Aqsa” i ka penguar përpjekjet për t’i trajtuar plagët – duke i përfshirë djegiet e rënda, frakturat e hapura, amputimet dhe lëndimet e trurit kanë thënë punonjësit e ndihmës në “Médecins Sans Frontières” (MSF), të njohur gjithashtu si “Mjekët pa Kufi”. Rrethimi i Gazës nga Izraeli e ka reduktuar në mënyrë drastike hyrjen e furnizimeve mjekësore dhe ndihmave të tjera.
“Dukej sikur një aksident me avion sapo kishte ndodhur”, ka thënë Karin Huster, anëtare e stafit të MSF-së, e cila ka trajtuar pacientë në orët e para pas sulmit. “Të gjithë ishin në tokë, fëmijë, gra... qindra njerëz”.
“Duhet një lloj i veçantë i njerëzve për t’i mbijetuar kësaj”, ka shtuar ajo, më 11 qershor.
Një punonjëse tjetër e shëndetësisë në spitalin “Al-Aqsa”, Maryame El Abbassi, ka thënë se ajo është prekur emocionalisht pasi i ka trajtuar fëmijët e djegur rëndë, fytyrat e të cilëve, siç ka thënë ajo, “shkriheshin” në duart e saj.
“Dëshiroj të mos e kisha përjetuar kurrë masakrën”, ka thënë infermierja 23-vjeçare. “Nuk besoj se kanë shpikur fjalë për ta përshkruar se sa mizore ishte situata... Ka pasur shumë fëmijë të sjellë nga të huajt. Këta fëmijë do të jenë të traumatizuar tërë jetën”, ka shtuar ajo.
Mumeni, i cili është akoma duke u trajtuar për plagët në shpatullën dhe abdomenin e tij dhe është zhvendosur në spitalin “Nasser” në Khan Younis, Gaza jugore, merrte frymë me zor ndërsa kujtonte se çfarë i ka ndodhur vëllait të tij.
“I pashë duke ma qëlluar vëllain tim të vogël, Yamen”, ka thënë Mumeni. “Ata erdhën në dhomë dhe thjesht na qëlluan, pa thënë ndonjë fjalë... E ardhmja ime ka mbaruar. Jeta ime nuk është më”.