Hassan Nasrallah, udhëheqësi i lëvizjes militante shiite islamike Hezbollah në Liban, ishte një nga figurat më të njohura dhe më me ndikim në Lindjen e Mesme.
Nasrallah nuk është parë në publik prej vitesh për shkak të frikës se mund të vritej nga Izraeli.
Dhe të shtunën, ushtria izraelite bëri të ditur se ka vrarë Nasrallahun në një sulm në Bejrut. Hezbollahu e ka konfirmuar vdekjen e tij më vonë.
Një person me lidhje të ngushta personale me Iranin, ai luajti një rol kyç në kthimin e Hezbollahut në forcën politike dhe ushtarake që është sot - dhe mbetet i admiruar nga mbështetësit e grupit.
Nën udhëheqjen e Nasrallahut, Hezbollahu ka ndihmuar në trajnimin e luftëtarëve të grupit të armatosur palestinez Hamas, si dhe grupet e tjera në Irak dhe Jemen, dhe ka marrë raketa e armë nga Irani që t’i përdorë kundër Izraelit.
I lindur në vitin 1960, Hassan Nasrallah u rrit në lagjen lindore të Bejrutit, Bourj Hammoud, ku babai i tij Abdul Karim kishte një dyqan të vogël perimesh. Ai ishte më i madhi nga nëntë fëmijët.
Ai iu bashkua lëvizjes Amal, atëkohë një grup militant shiit, pasi Libani hyri në luftë civile në vitin 1975. Pas një kohe të shkurtër në qytetin e shenjtë të Irakut, Najaf, për të ndjekur një shkollë shiite, ai iu ribashkua Amalit në Liban përpara se ai dhe të tjerët të ndaheshin nga grupi në vitin 1982, pak pasi Izraeli pushtoi Libanin në përgjigje të sulmeve të militantëve palestinezë, raporton BBC.
Grupi i ri, “Amal Islamic”, mori mbështetje të konsiderueshme ushtarake dhe organizative nga Garda Revolucionare e Iranit me bazë në Luginën Bekaa dhe u shfaq si më e spikatura dhe më efektive nga grupet militante shiite që më vonë do të formonin Hezbollahun.
Në vitin 1985, Hezbollahu zyrtarisht shpalli themelimin e tij duke botuar një “letër të hapur” që identifikonte SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik si armiqtë kryesorë të Islamit dhe bëri thirrje për “zhdukjen” e Izraelit, për të cilin thoshte se po pushtonte tokat myslimane.
Nasrallahu u ngjit në radhët e Hezbollahut gjersa organizata u rrit. Ai tha se pasi shërbeu si luftëtar, u bë drejtor në Baalbek, pastaj në të gjithë rajonin Bekaa, duke arritur kështu Bejrutin.
Ai u bë lider i Hezbollahut në vitin 1992 në moshën 32-vjeçare, pasi paraardhësi i tij Abbas al-Musaëi u vra në një sulm me helikopter izraelit.
Një nga veprimet e tij të para ishte hakmarrja për vrasjen e Musaëiut. Ai urdhëroi sulme me raketa në veri të Izraelit ku u vra një vajzë, një oficer izraelit i sigurisë në Ambasadën e Izraelit në Turqi u vra nga një bombë në veturë, si dhe një kamikaz shpërtheu Ambasadën izraelite në Buenos Aires, Argjentinë, duke vrarë 29 persona.
Nasrallah gjithashtu udhëhoqi një luftë me intensitet të ulët me forcat izraelite që përfundoi me tërheqjen e tyre nga Libani jugor në vitin 2000, megjithëse ai pësoi një humbje personale kur djali i tij i madh Hadi u vra në një përleshje me trupat izraelite.
Pas tërheqjes, Nasrallah shpalli se Hezbollahu kishte arritur fitoren e parë arabe kundër Izraelit. Ai u zotua gjithashtu se Hezbollahu nuk do të çarmatoset, duke thënë se konsideron se “i gjithë territori libanez duhet të rikthehet”, duke përfshirë zonën e Fermave Shebaa.
Kishte qetësi deri në vitin 2006, kur militantët e Hezbollahut nisën një sulm ndërkufitar në të cilin u vranë tetë ushtarë izraelitë dhe dy të tjerë u rrëmbyen, duke shkaktuar një përgjigje masive izraelite.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan bastionet e Hezbollahut në jug dhe në periferitë jugore të Bejrutit, ndërsa Hezbollahu hodhi rreth 4 mijë raketa në drejtim të Izraelit. Më shumë se 1,125 libanezë, shumica prej tyre civilë, vdiqën gjatë konfliktit 34-ditorë, si dhe 119 ushtarë dhe 45 civilë izraelitë.
Shtëpia dhe zyrat e Nasrallahut u vunë në shënjestër të avionëve luftarakë izraelitë, por ai shpëtoi.
Në vitin 2009, Nasrallah lëshoi një deklaratë të re që synonte të nxirrte në pah “vizionin politik” të Hezbollahut. Ai hoqi referimin për një republikë islamike të gjetur në dokumentin e vitit 1985, por mbajti një qëndrim të ashpër kundër Izraelit dhe SHBA-së dhe përsëriti se Hezbollahu duhej t’i mbante armët pavarësisht një rezolute të OKB-së që i ndalonte ato në Libanin jugor.
“Njerëzit përparojnë. E gjithë bota ndryshoi gjatë 24 vjetëve të fundit. Libani ndryshoi. Rendi botëror ndryshoi”, tha Nasrallah.
Katër vjet më vonë, Nasrallah deklaroi se Hezbollahu po hynte në “një fazë krejtësisht të re” të ekzistencës së tij duke dërguar luftëtarë në Siri për të ndihmuar aleatin e tij të mbështetur nga Irani, presidentin Bashar al-Assad, të shtypte një rebelim.
“Kjo është beteja jonë”, tha ai.
Udhëheqësit suunitë libanezë akuzuan Hezbollahun për shtyrjen e vendit në luftën e Sirisë dhe tensionet mes sekteve u përkeqësuan në mënyrë dramatike.
Në vitin 2019, një krizë e thellë ekonomike në Liban shkaktoi protesta masive kundër një elite politike të akuzuar prej kohësh për korrupsion, shpërdorim, keqmenaxhim dhe neglizhencë. Nasrallah fillimisht shprehu simpati me thirrjet për reforma, por qëndrimi i tij ndryshoi pasi protestuesit filluan të kërkonin një rregullim të plotë të sistemit politik.
Më 8 tetor 2023 - një ditë pas sulmit të paprecedentë ndaj Izraelit nga persona të armatosur të Hamasit, që shkaktoi luftën në Gaza - luftimet sporadike më parë midis Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan.
Hezbollahu qëlloi në pozicionet izraelite, në shenjë solidariteti me palestinezët.
Në një fjalim në nëntor, Nasrallah tha se sulmi i Hamasit kishte qenë “100 për qind palestinez në aspektin e vendimit dhe ekzekutimit”, por se gjuajtja midis grupit të tij dhe Izraelit ishte “shumë e rëndësishme dhe domethënëse”.
Grupi lëshoi më shumë se 8 mijë raketa në veri të Izraelit. Ai gjithashtu gjuajti raketa në automjete të blinduara dhe sulmoi objektivat ushtarake me dronë shpërthyes.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) u kundërpërgjigjën me sulme ajrore kundër pozicioneve të Hezbollahut në Liban.
Në fjalimin e tij më të fundit, Nasrallah fajësoi Izraelin për shpërthimin e mijëra pejxherëve dhe radiolidhjeve të përdorura nga anëtarët e Hezbollahut, të cilat vranë 39 njerëz dhe plagosën mijëra të tjerë, dhe tha se “kishte kaluar të gjitha vijat e kuqe”. Ai pranoi se grupi kishte pësuar një “goditje të paprecedentë”.
Menjëherë pas kësaj, Izraeli përshkallëzoi në mënyrë dramatike sulmet ndaj Hezbollahut, duke nisur valë bombardimesh që vranë afro 800 njerëz.