Një shpërthim ka ndodhur në afërsi të një ndërtese banimi mëngjesin e së martës (17 dhjetor) në Moskë, ku të vrarë mbetën shefi i forcave të mbrojtjes nga rrezatimet kimike dhe biologjike të ushtrisë ruse, Igor Kirillov dhe ndihmësi i tij.
Autoritetet ruse thanë se vrasja u bë nga një mjet shpërthyes që ishte vendosur në një skuter pranë ndërtesës ku banonte gjenerali. Mjeti shpërthyes u aktivizua nga distanca.
Kirillov ishte gjeneral i rangut më të lartë në ushtrinë ruse. BBC-ja ka raportuar se shërbimi sekret ukrainas e ka eliminuar atë nëpërmjet një operacioni special. Një ditë më parë është raportuar se Kirillov dyshohej se ishte përgjegjës për sulmin me armë kimike në Ukrainë.

Vrasja e tij u krye me 300 gramë eksploziv.
“Kirillov është një kriminel lufte dhe një objektiv plotësisht i ligjshëm (për t’u ndjekur v.j.), pasi ai dha urdhër për përdorimin e armëve kimike, të ndaluara, kundër ushtrisë ukrainase. Një fund i tillë i palavdishëm i pret të gjithë ata që vrasin ukrainas. Ndëshkimi për krimet e luftës është i pashmangshëm”, thuhet në reagimin e shërbimit sekret ukrainas.
Kirillov dyshohet se lejoi përdorimin e armëve kimike në frontet lindore dhe jugore të luftës në Ukrainë.
Agjentët e kundërzbulimit pohuan se nga urdhri i gjeneralit rus pësuan rreth 4.800 persona nga granatat luftarake K-1, që janë të pajisuara me substanca helmuese.
“Përdorimi i tyre është i ndaluar nga Konventa për Ndalim të Zhvillimit, Prodhimit e Përdorimit të Armëve Kimike, të datës 13 janar 1933”, citohet të ketë thënë shërbimi ukrainas. Këto kimikate ndikojnë në mukozën, sytë dhe traktin respirator, duke detyruar ushtrinë të largohet nga pozicionet e tyre nën zjarrin e armikut.
Në pjesën më të madhe, pushtuesit përdorin municione me substanca helmuese nëpërmjet dronëve, në pikat mbrojtëse të ukrainasve. Në këtë mënyrë, trupat ukrainase detyrohen të dalin nga llogoret e tyre, drejtpërdrejtë para armikut. Sipas hetimeve, Federata Ruse përdor substanca kimike të rrezikshme kryesisht në zona më të rrepta të luftimeve.
Kush është Igor Kirillov?
54-vjeçari ishte bërë shef i forcave mbrojtëse në prillin e 2017-s. Kishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Mbrojtjes Ruse, ndërsa popullaritetin e fitoi kur nisi lufta në Ukrainë (shkurt 2022). Ai pretendon se Kievi zyrtar ka shfrytëzuar armë kimike ndaj trupave ruse. Vrasja e tij po konsiderohet goditje e dhimbshme për Rusinë.
Nënkryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Kostiantyn Kosachov, e ka quajtur “humbje të pakthyeshme” vrasjen e gjeneralit Kirillov.
“Ne ndërvepruam ngushtë me atë në kuadër të një hetimi parlamentar mbi aktivitetet biolaboratore amerikane në Ukrainë”, ka shkruar ai në Telegram.
Ukraina i ka hedhur poshtë pretendimet ruse se janë përdorur armë kimike ndaj trupave të presidentit Vladimir Putin.
Në tetor, Britania i vendosi sanksione Kirillovit, duke thënë se ai koordinoi përdorimin e armëve kimike në Ukrainë dhe veproi si zëdhënës për dezinformimin e Kremlinit. Në dhjetorin e 2023-s, ish-deputeti ukrainas, Ilya Kiva, u qëllua për vdekje në rajonin e Moskës.
Kremlini e ka akuzuar edhe Perëndimin për përfshirje në eliminimin e gjeneralit Kirillov.