“Kur ai më pyet për familjen e tij nuk mund të përgjigjem. Përkundrazi, marr frymë thellë dhe përpiqem ta shmang pyetjen në mënyrë fëmijërore duke ndryshuar temën”
Moein Abu Rezk është i vetmi i afërm i mbijetuar i nipit të tij katërvjeçar, Omar, i cili ndodhet në gjendje kritike në spitalin e nartirëve “Al-Aqsa” në Deir al-Balah, në Rripin qendror të Gazës.
Omarit iu desh t’i amputohej dora e majtë dhe mbeti me një plagë të madhe dhe të hapur në këmbën e djathtë, plagë më të vogla në gjoks dhe në fytyrë, dhe me nofull të dislokuar pas një sulmi ajror izraelit që Moeini thotë se vrau 35 anëtarë të familjes së tij, duke përfshirë nënën, babanë dhe gjyshen e tij.
Deri më tani Moeini ka vendosur të mos i tregojë Omarit për vdekjen e tyre, sepse kjo mund të shkaktojë përkeqësimin e gjendjes së tij, përpara se ai të largohet nga Gaza nëpërmjet Egjipit, për trajtim mjekësor, si pjesë e një nisme të Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Emirateve.
“Atij duhet t’i tregohet informacioni në një mënyrë specifike, në mënyrë që të mos bjerë në shok ose të kalojë në një gjendje që unë nuk mund ta kontrolloj”, i tha Moeini versionit arab të BBC-së, përmes një serie mesazhesh zanore, të dielën mbrëma.
“Ai e di që nuk i ka parë asnjërin prej tyre dhe, megjithatë, e ndien nevojën të pyesë: “Ku është nëna? Ku është gjyshja? Ku shkuan?”
Megjithatë, nuk është ofruar ende asnjë garanci që ndonjë ambulancë do ta transportojë Omarin në kufirin egjiptian për shkak të luftimeve intensive dhe bombardimeve të rënda rreth asaj që njihet si Zona e Mesme e Gazës.
Qyteti i rrethuar
Forcat tokësore izraelite tashmë e kanë ndarë Gazën në dysh, duke e rrethuar plotësisht qytetin e Gazës në dy muajt e parë të luftës me Hamasin – të cilin Izraeli, Britania e Madhe dhe fuqitë e tjera perëndimore e klasifikojnë si një organizatë terroriste.
Tanket dhe trupat izraelite tani kanë zgjeruar luftimet thellë në qytetin jugor të Khan Younisit. Autostrada kryesore nga Deir al-Balahi është shpallur “fushë beteje”, duke i lënë njerëzit në Zonën e Mesme vetëm me një rrugë evakuimi të supozuar si të sigurt përgjatë bregut të Mesdheut.
Shumë palestinezë që jetojnë në veri të Gazës kanë kërkuar strehim në Zonën e Mesme pasi ushtria izraelite u dha urdhër që të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të zhvendoseshin në jug të lumit Wadi dy muaj më parë.
Ky urdhër u dha në fillim të luftës së shkaktuar nga një sulm ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë 1200 njerëz dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.
Që atëherë, më shumë se 18.200 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës të udhëhequr nga Hamasi. Omari është në mesin e më shumë se 49 mijë personave të tjerë të raportuar deri më tani të plagosur.
Ushtria izraelite thotë se forcat e saj po operojnë për të eliminuar terroristët, për të lokalizuar armatimin dhe për të shkatërruar infrastrukturën terroriste dhe se më shumë se 22 mijë caqe janë goditur që nga fillimi i luftës.
Moeini i tha BBC Arabic se Omari dhe familja e tij ishin për vizitë në shtëpinë e gjyshes së tij, në kampin Nuseirat, në veri të Deir al-Balahit, kur ajo u bombardua pa asnjë paralajmërim paraprak nga ushtria izraelite.
“Nuk kemi parë kurrë më parë raketa të tilla. Raketa bie dhe shkatërron të gjithë zonën e banimit rreth saj”, tha ai.
“Për fat të mirë, shtëpia kishte një çarje nëpër të cilën ra Omari, por ai u plagos aq rëndë, saqë u desh që krahu i tij i majtë t’i amputohej menjëherë”.
“Të shtunën ai humbi rreth tri njësi gjaku dhe përqendrimi i hemoglobinës së tij ra nga 9.5 në 7.4, kështu që ai u desh të hynte në operacion”.
Gjendje e rëndë
Moeini tha se situata në spital ishte aq e rëndë sa mjekët nuk mund të gjenin një shtrat për Omarin, pavarësisht nga gjendja serioze e plagëve të tij, duke e detyruar atë që të priste në një korridor derisa mjekët dhe infermierët e trajtonin atë sa më mirë që mundnin.
“Të gjitha pajisjet dhe mjetet mjekësore janë aq të kufizuara, saqë ne duhet ta përballojmë situatën në mënyrën më praktike dhe jo të shëndetshme”.
“Nuk ka ilaçe kundër dhimbjeve, kështu që ne duhet të bëjmë shaka dhe të përpiqemi ta bëjmë atë të qeshë në mënyrë që ta qetësojmë”.
Moeini pranoi se kjo metodë funksionoi vetëm disa herë. “Ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër”, shtoi ai.
Ai tha se shpreson që Omari të transportohet të enjten e ardhshme në pikën kufitare Rafah të Egjiptit dhe më pas të dërgohet në një spital për trajtim të specializuar.
Lena Shakora, burri i saj dhe tre djemtë e vegjël deri më tani u kanë mbijetuar bombardimeve izraelite, por ajo tha se ata ende po jetonin një “makth”.
Ata u larguan nga shtëpia e tyre në lagjen “Sheikh Radwan” të qytetit të Gazës dhe aktualisht janë strehuar në një shtëpi në një zonë bujqësore jashtë Deir al-Balahit, me të afërmit e tyre.
“Zgjohem çdo ditë duke e ditur se ne jemi në luftë dhe se njerëzit po vdesin nga uria. Është torturë të zhvendosesh nga shtëpia jote dhe të mos gjesh ushqim”, i tha Lena, BBC Arabic, të dielën mbrëma.
“Unë dhe familja ime jetojmë me 40 individë në një dhomë dhe të gjitha dritaret janë të shkatërruara për shkak të bombardimeve. Ne realisht jemi ulur jashtë... dhe është shumë ftohtë dhe njerëzit janë të dërrmuar”.
Lena tha se djemtë e saj kanë lënduar shpinën, sepse duhej të bartnin kontejnerë me ujë. Dhe për t’i përkeqësuar edhe më shumë gjërat, uji nuk është i pastër, sepse impiantet e trajtimit dhe pompat nuk funksionojnë për shkak të mungesës së karburantit.
Familja gjithashtu po detyrohet të hajë ushqim të kontaminuar, sepse dyqanet janë bosh dhe nuk u është ofruar asnjë ndihmë.
“Shpresa jonë më e madhe është që të kemi miell që të mund të gatuajmë”.
“Njerëzit mbledhin çfarëdo druri që mund të gjejnë. Por buka del e kontaminuar, sepse piqet me dru të skenave të bombardimeve”, shpjegoi ajo.
OKB-ja ka njoftuar të dielën se nuk ka qenë në gjendje të shpërndante ndihma jashtë qytetit jugor të Rafahut, në kufirin me Egjiptin, ditët e fundit, për shkak të intensitetit të luftimeve dhe kufizimeve në lëvizje.
Përktheu: Forca Jashari