Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar të mërkurën në selinë e NATO-s në Bruksel, se objektivi për anëtarësim të Ukrainës në NATO dhe kthim në kufijtë e Ukrainës të para vitit 2014 është joreal dhe iluzion.
Për më tepër, Hegseth ka bërë thirrje për “vlerësim realist të fushës së betejës”, raporton The Guardian.
“Ne duam një Ukrainë sovrane dhe të begatë. Por ne duhet të fillojmë duke pranuar se kthimi në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 është një objektiv jorealist. Ndjekja e këtij qëllimi iluzion vetëm do ta zgjasë luftën dhe do të shkaktojë më shumë vuajtje”, ka deklaruar Hegseth.
Ai po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja nuk mund të fokusohet kryesisht në sigurinë në Evropë.
“Shtetet e Bashkuara përballen me kërcënime konsekuente ndaj atdheut tonë. Ne duhet dhe ne jemi të fokusuar në sigurimin e kufijve tanë”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, lidhur me NATO-n, Hegseth është shprehur se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj aleancës, por nuk toleron “marrëdhënie të pabalancuara”.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë më një marrëdhënie të çekuilibruar që inkurajon varësinë. Përkundrazi, marrëdhënia jonë do t'i japë përparësi fuqizimit të Evropës që të mbajë përgjegjësinë për sigurinë e saj”, është shprehur ai.