Ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, është zgjedhur kryeministër i ri i Polonisë në përpjekjen e madhe për ta kthyer shtetin në rrugën demokratike, nga e cila kishte dalë shkaku i qeverisë së mëparshme nacionaliste dhe euroskeptike
Polonia ka bërë një hap të madh drejt kthimit të rendit demokratik, duke zgjedhur për kryeministër liderin e partisë centriste, Donald Tusk.
Pas tetë vjetësh të regjimit konservator dhe nacionalist, Parlamenti polak të hënën vendosi për qeverinë properëndimore.
Tusk është bërë kryeministër dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të cilat u fituan nga koalicioni i partive të krahut të majtë dhe konservatorëve të moderuar.
Partitë premtuan se do të bashkëpunonin nën udhëheqjen e Tuskut për të kthyer standardet demokratike dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me shtetet aleate.
Tusk të martën ka prezantuar kabinetin e tij qeverisës dhe ka premtuar se do të jetë aleat i SHBA-së dhe i NATO-s.
“Polonia është dhe do të mbetet lidhje e fuqishme në NATO. Polonia do të jetë besnike, e qëndrueshme, e sigurt në qëndrimet e veta dhe aleate e SHBA-së dhe e bindur në lidhjet dhe rëndësinë me të”, ka thënë Tusk në fjalimin e tij para deputetëve në Sejm.
“Ne jemi më të fuqishëm, më sovranë, jo vetëm kur Polonia është e fuqishme, por kur krejt komuniteti evropian është më i fuqishëm”, ka shtuar ai.
Zgjedhja e Tuskut është bërë pasi ish-qeveria e kryeministrit Mateusz Morawiecki humbi votëbesimin të hënën. Lidershipi i ish-presidentit të Këshillit Evropian do t’u japë shtysë forcave pro-BE-së në kohën kur euroskeptikët si Geert Wilders në Holandë po marrin pushtet.
Ndihma për Ukrainën
Kryeministri i ri polak, Donald Tusk, ka theksuar të martën se qeveria e tij do të mobilizohet për të mbajtur botën të përkushtuar për ta ndihmuar Ukrainën. Tusk ka thënë se ndihet keq kur dëgjon se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duhet të vazhdojë të përpiqet t’i bindë liderët botërorë për nevojën për të vazhduar mbështetjen e luftës së Kievit kundër agresionit rus.
Ai ka bërë të ditur se do të jetë një prioritet për qeverinë e tij të koalicionit të bindë liderët se ata duhet të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën të mbrohet, dhe kjo është gjithashtu në interes të botës së lirë.
Ai tha se do të kërkonte “me zë të lartë dhe me vendosmëri mobilizimin e plotë të botës së lirë, botës perëndimore, për ta ndihmuar Ukrainën në këtë luftë”.
“Nuk ka alternativë për këtë mënyrë të menduarit. Nuk mund të dëgjoj më disa politikanë evropianë nga vendet e tjera perëndimore që thonë se janë lodhur nga situata në Ukrainë. Ata janë të lodhur. Ata i thonë në fytyrë presidentit Zelensky se nuk kanë më forcë, se janë të rraskapitur”, ka theksuar Tusk.
“Detyra e Polonisë, detyra e Qeverisë së re, por edhe detyra e të gjithë neve, është të kërkojmë me zë të lartë dhe me vendosmëri të plotë nga i gjithë komuniteti perëndimor për ta ndihmuar Ukrainën në këtë luftë. Unë do ta bëj këtë që nga dita e parë”, ka thënë Tusk ndër të tjera.
Tusk u zgjodh nga Parlamenti të hënën dhe do të përballet me shumë sfida, nga rivendosja e standardeve demokratike në vendin e tij, puna për lirimin e fondeve të ngrira të Bashkimit Evropian për shkak të tkurrjes së demokracisë nga paraardhësit e tij dhe përballja me pasojat e luftës në Ukrainë. Një nga sfiduesit e tij më të lehtë do të jetë rivendosja e lidhjeve me BE-në, të cilat u tensionuan keq gjatë tetë vjetëve të fundit të qeverisjes nga një qeveri konservatore kombëtare.
Rrëzimi i Morawieckit
Njerëzit në Poloni kanë reaguar të hënën ndaj lajmit që qeveria e kryeministrit polak Mateusz Morawiecki humbi një votë besimi në parlament, duke i hapur rrugën pushtetit për një aleancë të gjerë pro-BE nën udhëheqjen e veteranit politik të qendrës, Tusk.
Qeveria e Morawieckit nuk i mbijetoi votëbesimit në Dhomën e Ulët prej 460 ulësesh. Votimi shënoi fundin e tetë vjetëve të trazuara në të cilat partia konservatore kombëtare Ligj dhe Drejtësi sundoi vendin me mbështetjen e shumë polakëve – por në kundërshtim të ashpër me polakët liberalë, si dhe me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë perëndimorë.
Një kinema e Varshavës transmetoi drejtpërdrejt punimet e së hënës dhe tërhoqi qindra spektatorë të cilët hanin kokoshka dhe shpërthyen në të qeshura teksa fliste kryeministri në largim.
“Kaq shumë gjëra shqetësuese ndodhën në tetë vjetët e fundit sa nuk jam e befasuar nga ky gëzim që mori fund ajo parti”, ka theksuar Justyna Lemanska, pasi pa fjalimin në kinema.
Transicioni hap pas hapi i pushtetit, që vjen gati dy muaj pasi polakët dolën në numër të madh për të votuar për ndryshim, u vonua për javë të tëra nga presidenti Andrzej Duda, i cili mbajti aleatët e tij politikë në detyrë për aq kohë sa të ishte e mundur.
Zgjedhjet u fituan nga një bllok i partive opozitare, duke filluar nga e majta në konservatore të moderuara, të cilët konkurruan me bileta të veçanta, por premtuan të punojnë së bashku për të rivendosur sundimin e ligjit.
Në fjalimin e tij në Parlament, Morawiecki renditi arritjet e qeverisë së tij dhe dëshirën e tij për pajtim në një shoqëri kaq të ndarë sa ndonjëherë duket në luftë me vetveten.
“Ne duhet t'i japim fund luftës polako-polake”, ka theksuar ai. “Le të zgjedhim dialogun. Le të kërkojmë atë që na bashkon”.
Tri parti opozitare, Koalicioni Qytetar, Rruga e Tretë dhe E Majta e Re, konkurruan të ndara, por me të njëjtat premtime, për të rrëzuar “Ligjin dhe Drejtësinë” dhe të rivendosin lidhjet e mira me Bashkimin Evropian.
Në muajin shtator, Qeveria e prirë nga Morawiecki kishte vendosur që të mos e furnizonte me armatim Poloninë, për shkak të përplasjes diplomatike në lidhje me grurin.
Kryeministri Mateusz Morawiecki ka deklaruar se fokusi i Polonisë është vetëmbrojtja me armë edhe më moderne.
“Më nuk do të transferojmë armë në Ukrainë, sepse po armatosim Poloninë me armë moderne”, kishte thënë kryeministri Morawiecki.
Polonia kishte furnizuar Ukrainën me 320 tanke të periudhës sovjetike dhe 14 aeroplanë luftarakë MiG-29.