Kryeqyteti i Kolumbisë, Bogota, do të fillojë me reduktime të ujit këtë javë pasi disa nga rezervuarët janë në nivele të ulëta të ujit të pashembullta, në mes një thatësire të përkeqësuar nga modeli klimatik El Nino.
Duke folur për mediat të hënën, kryebashkiaku i Bogotas, Carlos Fernando Galan ka thënë se rezervuarët kishin arritur nivele “historike të ulëta” dhe ishin përkeqësuar nga El Nino, i cili shkakton temperatura të larta dhe pengon reshjet.
Duke filluar nga mëngjesi i së enjtes, kufizimet ose masat racionale do të vendosen për banorët e Bogotas dhe dhjetëra qytete dhe komuna përreth kryeqytetit, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të qytetit. Masat do të prekin rreth 9 milionë njerëz.
Vendi dhe rajoni kanë përjetuar periudha të gjata pa shi që nga qershori i vitit 2023 për shkak të El Ninos, thuhet në faqen zyrtare.
Presidenti kolumbian, Gustavo Petro nxori një dekret për fatkeqësinë natyrore në janar, duke i lejuar qeverisë të ketë qasje në më shumë burime për të luftuar efektet shkatërruese të El Ninos, përfshirë zjarret dhe mungesën e ujit.
Plani parasheh nëntë zona të ndryshme që racionalizojnë shërbimet e ujit. Kufizimet e ujit të secilës zonë do të fillojnë në orën 8 të mëngjesit me orën lokale dhe do të zgjasin 24 orë përpara se të kalojnë në zonën tjetër me radhë.
Spitalet dhe shkollat do të kenë plane emergjence, ka shkruar Galan në X, duke u siguruar që nuk do t’u mungojë uji.
“Nivelet kritike të rezervuarëve nga të cilët nxjerrim ujin e pijshëm për Bogotën na bëjnë të marrim masa që synojnë kursimin e ujit dhe reduktimin e konsumit nga 17 metra kub në sekondë në 15”, thuhet në postimin e Galanit.
Kolumbia i bashkohet Meksikës, kryeqyteti i së cilës, Mexico City, gjithashtu ka përjetuar krizë të rëndë uji për shkak të viteve të reshjeve jashtëzakonisht të ulëta, periudhave më të gjata të thata dhe temperaturave të larta.