Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka bërë kërkesë që të lëshohen fletarreste për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe liderin e Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar, nën dyshimin për krime lufte, ka njoftuar “BBC” të hënën.
Karim Khan KC ka thënë se ka arsye të konsiderueshme për të besuar se të dy burrat mbajnë përgjegjësi penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga të paktën 7 tetori i vitit 2023.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, dhe lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, e shefi ushtarak Mohammed Deif, po ashtu po kërkohen të arrestohen.
GJNP-ja me seli në Hagë ka hetuar veprimet e Izraelit në territoret e pushtuara në tre vjetët e fundit dhe së fundi edhe veprimet e Hamasit.
Netanyahu së fundi e ka quajtur mundësinë që figurat e larta të Izraelit t’i bashkohen listës së të kërkuarve të GJNP-së si “zemërim me përmasa historike”.
Ministri izraelit i Kabinetit të Luftës, Benny Gantz, një rival politik i Netanyahut, ka reaguar ndaj vendimit të prokurorit.
Ai e ka quajtur “shtrembërim të thellë të drejtësisë dhe një falimentim i hapur moral”, vendimin e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Gjykatësit e GJNP-së tani do të përcaktojë nëse besojnë se provat janë të mjaftueshme për të lëshuar fletarreste. Afati kohor dallon, mund të duhet javë apo muaj mes kërkesë së bërë nga prokuroria dhe vendimit të gjyqtarëve.
Izraeli ka njoftuar se do të krijojë një qendër speciale komanduese për të luftuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Kratz, ka thënë se grupi do të krijohet për ta luftuar vendimin që thotë se ka për qëllim “t’ia lidhë duart shtetit të Izraelit dhe t’ia mohojë të drejtën për vetëmbrojtje”.
“Asnjë fuqi në botë s’do ta ndalojë Izraelin t’i rikthejë pengjet në shtëpi dhe ta rrënojë Hamasin”, ka thënë Katz.
Ndërsa një zyrtar i Hamasit ka thënë se vendimi i Prokurorisë së GJNP-së “barazon viktimën me xhelatin”.
Zyrtari Sami Abu Zuhri ka reaguar pasi është bërë kërkesë për arrestim të tre zyrtarëve të lartë të Hamasit.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka quajtur skandaloz vendimin e kryeprokurorit të GJNP-së
“Kërkesa e prokurorit të GJNP-së për lëshim të fletarresteve ndaj udhëheqësve izraelitë është skandaloze. Dhe më lejoni të jem i qartë, çfarëdo që mund të nënkuptojë ky prokuror, s’ka asnjë ekuivalencë mes Izraelit e Hamasit. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij”, ka thënë Biden.
Lufta e fundit midis Izraelit dhe Hamasit filloi më 7 tetor, kur militantët e Hamasit kaluan në Izrael dhe vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe morën peng afro 250 të tjerë.
Që atëherë Izraeli ka nisur ofensivën në Gazë për ta shpartalluar Hamasin. Më shumë se 35 mijë palestinezë janë vrarë në luftime, të paktën gjysma e tyre gra dhe fëmijë, sipas vlerësimeve të fundit nga zyrtarët shëndetësorë të Gazës.
Lufta ka shkaktuar një krizë humanitare në Gazë, duke zhvendosur afërsisht 80% të popullsisë dhe duke lënë qindra mijëra njerëz në prag të urisë, sipas zyrtarëve të OKB-së.
Duke folur për veprimet izraelite, Khan tha në një deklaratë se “efektet e përdorimit të urisë si një metodë lufte, së bashku me sulmet e tjera dhe ndëshkimet kolektive kundër popullatës civile të Gazës janë akute, të dukshme dhe të njohura gjerësisht. Ato përfshijnë kequshqyerjen, dehidratimin, vuajtjet e thella dhe një numër në rritje të vdekjeve në mesin e popullatës palestineze, duke përfshirë foshnjat, fëmijët dhe gratë”.