Në shtetin Karenni të Birmanisë janë duke u zhvilluar luftime, teksa rebelimi po e kërcënon pushtetin e juntës ushtarake. Grusht shteti ushtarak i vitit 2021 i ka dhënë fund pushtetit të qeverisë dhe liderët e saj mbeten të burgosur. Mijëra i kanë braktisur studimet dhe karrierat për t’iu bashkuar grupeve etnike dhe atyre të rezistencës, që për një kohë të gjatë kanë qenë kundër sundimit ushtarak.
Dy zmadhues zëri, të mëdhenj sa burrat që po i mbajnë, janë sjellë në kodrën shkëmbore. Rreth 800 metra më poshtë në qytetin Hpasang gjendet një bazë ushtarake e Birmanisë.
Është ditë shumë e nxehtë – mbi 40 gradë celsius – dhe mbrapa, në shtylla bambuje, disa luftëtarë të rinj të rezistencës mbajnë një paketë të madhe dhe të rëndë baterie dhe një amplifikator. Në krye të kësaj është Nay Myo Zini, ish-kapiten i ushtrisë i cili, pas 12 vjetëve të kaluara në ushtri i është bashkuar rezistencës.
Me xhaketën e tij të gjelbër kamuflazh, ai duket si këngëtar, i gatshëm të ngjitet në skenë. Ai është aty për t’i shtyrë ushtarët e bazës, që janë besnikë ndaj ushtrisë udhëheqëse të vendit, ta ndryshojnë anën.
Në xhunglën e shtetit Karenni në lindje të Birmanisë dy forca përballen me njëra-tjetrën në një luftë që ka qenë duke vazhduar me dekada. Por avancimet e shumta nga rezistenca muajve të fundit sugjerojnë se kësaj radhe ata mund ta kenë avantazhin.
Kombi aziatik juglindor është në udhëkryq – pas dekadash shtypjeje brutale nga udhëheqja ushtarake, grupet etnike, së bashku me ushtrinë e kryengritësve të rinj, diktatura ka arritur në një pikë kritike.
Gjatë shtatë muajve të fundit, gati dy e treta e vendit ka rënë në duart e rezistencës. Mijëra njerëz janë vrarë, duke përfshirë shumë fëmijë, që nga marrja e pushtetit nga ushtria në grusht shtetin e vitit 2021. Rreth 2.5 milionë njerëz janë zhvendosur, ushtrisë është duke iu sfiduar pushteti dhe në përpjekjet për ta ndaluar rezistencën në rritje është duke i bombarduar rregullisht civilët, shkollat dhe kishat me avionë luftarakë.
“Ose në anën e njerëzve, ose të tiranit”
Para se të lëshohet pajisja e zërimit e Nay Myo Zinit, ushtria qëllon drejt pozicionit të tij.
I padekurajuar, ai e lëshon zërimin dhe me mikrofon në dorë, ai flet: “Të gjithë, ndaloni zjarrin, ju lutem! Dëgjoni vetëm për pesë minuta”. Për befasi, ata ndalojnë.
Ai u tregon atyre për 4.000 ushtarët që i janë dorëzuar opozitës në shtetin verior Shan dhe për sulmet e fundit me dronë në objektet ushtarake në kryeqytetin e vendit Napidaw. Mesazhi është, “ne jemi duke fituar, regjimi juaj po dështon, është koha të dorëzoheni”.
Në Hpasang dhe nëpër shtetin Karenni, si përgjatë shumicës së vendit, janë duke u zhvilluar luftime dhe ngecje, teksa rebelimi po e kërcënon pushtetin e juntës ushtarake. Grusht shteti ushtarak i vitit 2021 i ka dhënë fund pushtetit të qeverisë dhe lideri i saj, Aung San Suu Kyi, mbetet i burgosur së bashku me liderët e tjerë politikë.
Megjithatë, ky konflikt është pak i raportuar për shkak të mungesës së lirisë së mediave, të cilat edhe nëse futen zyrtarisht në vend monitorohen tërë kohën. Nuk ka ndonjë mënyrë për ta parë këndvështrimin e rezistencës përmes vizitave të aprovuara nga qeveria ushtarake.
Në Hpasang, rezistenca ka qenë duke pritur, të sigurt se janë në avantazh. Rreth 80 ushtarë janë të bllokuar në bazë për më shumë se një muaj, me rreth 100 tjerë që besohet se janë vrarë ose lënduar.
Në kodër, përmes zmadhuesit të zërit, Nay Myo Zini u jep mundësinë për dorëzim: “Ne ju kemi rrethuar. Nuk ka shanse që të vijë ndonjë helikopter. Mbështetje nga këmbësoria? Jo. Sot e keni mundësinë të zgjidhni nëse do të kaloni në anën e njerëzve”.
Ka vetëm qetësi nga kampi poshtë.
Nay Myo Zini i nxit ata ta braktisin Min Aung Hlaingun, gjeneralin që e udhëheq juntën.
“Jetët tuaja do të kursehen. Ky është premtim që mund t’ua jap. Prandaj, mos u bëni budallenj. Apo doni ta mbroni pasurinë e pajustifikueshme të tiranit Min Aung Hlaing deri në frymën tuaj të fundit? Tani, ju pres me krahë hapur”.
Kalojnë çaste, dëgjohet vetëm zhurma e mizave, ndërsa forcat e juntës ndoshta janë duke e konsideruar përgjigjen e tyre. Nuk është zgjedhje e lehtë, nëse dorëzohen dhe kthehen në kampet e kontrolluara nga ushtria, ata me siguri do të dënohen me vdekje.
Përgjigjja e tyre dëgjohet zhurmshëm. Ata përsëri gjuajnë kah kryengritësit, teksa ata ulen për t’u mbrojtur. Nuk do të dorëzohen sot.
Nay Myo Zini e vazhdon fjalimin e tij prapëseprapë. Afër tij, në radio, komandanti që e ka për detyrë marrjen e bazës, përdor një qasje tjetër. Ai fillon t’i shajë ata.
Në mes të të sharave, ai i akuzon duke i quajtur qen të Min Aung Hlaingut dhe se janë të pabesë ndaj vendit të tyre.
Ushtarët i kundërpërgjigjen me të shara. Me mungesë të ushtarëve dhe furnizimit me ushqim, ata nuk dorëzohen, të bindur se ushtria e ka të drejtën për qeverisjen e vendit.
Kjo vazhdon për 30 minuta të tjera, derisa luftëtarët e rezistencës tërhiqen.
Kjo është më shumë se betejë ideologjike, është luftë brezash. Të rinjtë që luftojnë kundër të vjetrës. E njëjta rini që ka dëgjuar tregimet të revolucioneve të dështuara, të cilët kanë vendosur se tani është koha e tyre.
Pas gjysmë shekulli të qeverisjes nga ushtria, Birmania e ka shijuar eksperimentin e shkurtër me demokraci, që ka filluar në 2015-n nën Suu Kyi dhe Lidhjen e saj Kombëtare për Demokraci.
Për shumë të rinj, këto vite edhe pse me ca probleme, kanë shënjuar një epokë të artë të lirisë. Kutia e votimit ka dështuar, e më pas protestat paqësore pas grushtit të shtetit janë pritur me vrasje dhe arrestime. Nuk kanë pasur zgjidhje tjetër përpos t’i kapnin armët.
Mijëra i kanë braktisur studimet dhe karrierat në qytetet e mëdha si Yangon – mjekë, matematikanë, përdorues të arteve marciale – dhe kanë ikur për t’iu bashkuar grupeve etnike dhe të rezistencës, që për një kohë të gjatë kanë qenë kundër sundimit ushtarak.
Në këtë front, luftëtarët janë të gjithë nën moshën 25-vjeçare.
Nam Ree, 22-vjeçar me Forca e Mbrojtjes së Kombeve Karenni, KNDF, shpjegon se pse i është bashkuar rezistencës.
“Qentë (term për ushtarët) janë të padrejtë. Ata e kanë kryer grusht shtetin e paligjshëm ushtarak. Ne rinia jemi të pakënaqur me këtë”, thotë ai, i veshur me shapka, me fanellë të FC Barcelonës dhe me helmetë balistike. Asnjëri nga burrat nuk ka pajisje mbrojtjeje trupore.

Zhvillimet e luftimeve
KNDF-ja është forcë me luftëtarë të rinj dhe komandantë që janë shfaqur pas grusht shtetit. KNDF-ja i ka bashkuar grupet e shtetit dhe ka treguar sukses në fushëbetejë.
Rryma është kthyer kundër juntës më 27 tetor të vitit të kaluar kur një grup aleancash në veri i ka pushtuar pozicionet ushtarake dhe pikat kufitare. Që atëherë, dhjetëra qytete të tjera kanë rënë në duart e opozitës. Ushtria akoma i kontrollon qytetet e mëdha, por është duke e humbur kontrollin nëpër fshatrat dhe kufijtë e Birmanisë.
KNDF-ja thotë se bashkë me grupet e tjera, tani e kontrollojnë 90% të shtetit të Karennit. Mund të jetë më i vogli në vend, por është bërë qendra e rezistencës.
Nën hijen e një peme, rri i ulur komandanti i fuqishëm Maui Pho Thaike, ambientalist me tatuazhe, që ka studiuar në SHBA, i cili e ka kapur armën tri vjet më parë. Ai nuk e njeh juntën si qeveri, sepse konsideron se është shtypëse e shumë rajoneve etnike të vendit. Ai thotë se i tërë vendi është duke luftuar kundër ushtrisë.
“Strategjitë janë duke ndryshuar. Të gjitha sulmet janë të koordinuara”, thotë ai.
KNDF-ja nuk ka mungesë të luftëtarëve, por të municioneve dhe armëve. Shumica është e financuar nga donacionet e diasporës së vendit.
“Kemi mjaft zemër, moral dhe humanizëm. Në këtë mënyrë do t’i mposhtim ata”, thotë Maui.
Një tatuazh në dorën e tij thotë “mendimtar i lirë”. Kur pyetet se a është akoma i tillë, ai thotë: “Në uniformë, jo. Por pa të jam burrë i lirë. Kjo është ëndrra jonë. Do ta rikrijojmë përsëri”.
Të hysh në Birmani është të kalosh jo vetëm nëpër një luftë të harruar, por në vendin e shkëputur nga bota e jashtme. Shumica e rrjeteve telefonike, internetit dhe energjisë elektrike janë prerë në Karenni. Ushtria mund të jetë në disavantazh, por bazat e tyre të mbetura i kontrollojnë rrugët kryesore përgjatë vendit.
Në një sulm të dështuar pranë qytetit Moebye, janë vrarë 27 anëtarë të rezistencës. Në spitalin në xhungël, burra të rinj nga KNDF-ja janë të shtrirë në krevatet e spitalit mbi dyshemenë prej lloçi. Disa buzëqeshin dhe ngrijnë gishtin e madh, e disave u mungojnë gjymtyrët.
Aung Nglesit, 23-vjeçar, i është ënjtur këmba nga predha që e ka goditur. Ai është shumë i sëmurë për të folur, por fillon të qajë. Tre shokë vijnë ta ngushëllojnë. Atij i duhet të shkojë në Tailandë për trajtim dhe operacion. Sipas mjekut, ai do të jetë mirë, por tani është i dëshpëruar që nuk mund të luftojë më.
Në shumë aspekte, ky është konflikt i një shkalle tjetër dhe brutal. Luftimet në Moebye kanë zgjatur për ditë të tëra, me sulme të këmbësorisë mbi bunkerët e ushtrisë.
Një burrë ka disa lëndime në duar, këmbë dhe stomak. Ato janë shkaktuar nga një granatë dore. Ai ka shkuar ta shpëtonte një komandant të lënduar, kur e ka goditur granata.
Lufta ka qenë e ashpër. Në shtetin jugor Shan, afër qytetit Hsihseng është duke u zhvilluar një kundërofensivë ndërsa ushtria përpiqet ta marrë rrugën për në Loikaw, kryeqyteti, për kontrollin e të cilit gjithashtu është duke u luftuar.
Ky nuk është shteti i tyre, por KNDF-ja është nën udhëheqjen e luftëtarit Darthawr. Ai, si shumë prej burrave të tij, është plagosur nga sulmet e kaluara dhe i vërehet plaga nën bluzën e tij.
“Mbrojtja e këtij vendi për ne është sikur mbrojtja e shtëpisë sonë”, thotë ai. As këta burra nuk kanë pajisje mbrojtëse trupore.
Ai tregon me gisht ka pozicioni i ushtrisë. Fillojnë të dëgjohen predha afër. Dëgjohet shkëmbim zjarri dhe siç duket janë duke u afruar ushtarët.
“Trupat e tyre janë lënduar, prandaj kanë filluar të gjuajnë gjithandej”, thotë Darthawri.
Ceremonia e diplomimit të KNDF-së
Në një ceremoni diplomimi në një pjesë të xhunglës, rekrutët e rinj marshojnë radhë pas radhe në formacion. Ata i nderojnë me dorë udhëheqësit e KNDF-së. Gratë dhe burrat e rinj – shumë prej tyre sapo i kanë mbushur 18 vjet – marshojnë me ritmin e këngës “Warrior”.
Teksti i saj: “Jam i fundit që largohem, por i pari që shkoj; Zot, më bëj të vdekur para se të më bësh plak; Jam ushtar dhe jam duke marshuar tani; Jam ushtar dhe kjo është kënga ime.
Ka më shumë se 500 rekrutë – numër rekord. Radhët e prekura nga junta, në mungesë të burrave, kanë miratuar një dekret rekrutimi që dërgon qindra burra në territorin kryengritës për t’iu bashkuar kauzës revolucionare.
Komandanti i tyre, Maui tregon se nuk ka shumë kohë për trajnim. “Strategjia është kështu, ne e organizojmë një muaj trajnim intensiv dhe pastaj shkojmë për të luftuar”.
Ndërsa përfundon ceremonia, një reper i ri, MC Kayar Lay, i cili gjithashtu ka diplomuar atë ditë, nis festën dhe rekrutët fillojnë të kërcejnë dhe të festojnë.
Është e vështirë të parashikohet se ku do të çojë kryengritja. Për të dyja palët, kjo është luftë ekzistenciale dhe e karakterizuar gjithnjë e më shumë nga gjakderdhja dhe hidhërimi. Duket se nuk ka kthim prapa.
Pas tri javësh, në Hpasang, baza ushtarake, e rrethuar nga rezistenca, vazhdonte të qëndronte.
Ushtria është përpjekur t’u dërgonte përforcime – rreth 100 burra – por në betejën me kryengritësit, 57 prej tyre janë kapur, të tjerët ose janë larguar ose janë vrarë.
Ushtria ka dështuar ta furnizonte bazën, por përplasja me forcat opozitare pati pasojë tjetër. Kjo do të thotë se municioni i revolucionarëve të armatosur është varfëruar - dhe ata nuk janë më në gjendje ta sulmojnë postin.
Disa ditë më herët avionët e ushtrisë kanë bombarduar kodrën, duke vrarë tre luftëtarë të rinj dhe duke plagosur 10 të tjerë.
Më herët, kishte muzikë dhe këndim nga pozicionet e tyre në brigjet e lumit Salween, gatishmëri pothuajse e qetë për ta pritur armikun e tyre.
Por tani humori është errësuar – apelet për dorëzim duken të pamundura. Kjo tani do të jetë luftë deri në vdekje.