Botë

Kryeministrja daneze kërkon unitet në Evropë, ndërsa Trumpi kërcënon Grenlandën

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen

Foto: Associated Press

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka thënë se Evropa duhet të “qëndrojë e bashkuar” përballë ndryshimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto mesazhe i dha ajo gjatë vizitave në Berlin, Paris dhe Bruksel, duke synuar mbështetje pas kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për ta marrë Grenlandën. 

Javë pas deklaratave të Trumpit për ta marrë nën kontroll Grenlandën -  territorin autonom danez -  dhe ditë pas telefonatës “së papërshtatshme” me presidentin Trump, kryeministrja daneze ka zhvilluar një udhëtim me synim për të treguar unitet në Evropë, ka raportuar “The Guardian”.

Pas takimit me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili ka thënë se “kufijtë nuk duhet të lëvizen me forcë”, Frederiksen ka deklaruar se “dua t’ju siguroj se e gjithë Evropa qëndron së bashku, jo vetëm në lidhje me Mbretërinë e Danimarkës por edhe më gjerë”. 

Gjatë takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris, kryeministrja e Danimarkës shtoi se “të gjithë në Evropë mund të shohin se do të jetë një bashkëpunim më ndryshe me SHBA-në tani”. 
Ajo shtoi “në fund të fundit këto janë tonet që dëgjojmë nga Washingtoni në lidhje me tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik, cilat janë pasojat, ne nuk e dimë akoma”. 

Në Bruksel ajo u takua edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe nga atje deklaroi se “çfarëdo që ndodh në SHBA, Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar në të drejtën e saj”.

Trumpi ka refuzuar ta përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për ta marrë nën kontroll ishullin, që është pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, e cila kontrollon politikën e jashtme dhe mbrojtjen e ishullit. Po ashtu Trumpi ka kërcënuar Danimarkën edhe me tarifa ndaj eksporteve daneze në SHBA.