Në intervistën e parë televizive që kur u sulmua në rrugë javësn e kaluar, kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka thënë se nuk po ndihet si zakonisht, ndërsa ka bërë të ditur se punën po e vazhdon “kryesisht nga shtëpia”.
Frederiksen, e cila pësoi tronditje të lehtë pasi u sulmua nga një burrë në qendër të Kopenhagës të premten e kaluar, një ditë pas sulmit pati thënë se “ndihej mirë”, shkruan AP.
Megjithatë, në një intervistë televizive të martën, Frederiksen nuk foli për sulmin, por u shpreh se “ishte shumë shqetësuese kur dikush kalon kufirin, sepse është tronditje dhe surprizë”.
“Si qenie njerëzore e ndjej se më është bërë një sulm, por nuk kam dyshim se është sulmuar kryeministrja e Danimarkës, në atë mënyrë bëhet edhe një lloj sulmi ndaj të gjithëve. Do të preferoja që Danimarka të ishte një vend ku kryeministrja mund të shkojë e shkujdesur me biçikletë në punë”, ka thënë ajo.
Një 39-vjeçar polak, i cili jeton në Danimarkë dhe akuzohet se ka sulmuar kryeministren, është arrestuar dhe do të qëndrojë në paraburgim deri më 20 qershor nën akuzën e “përkohshme të dhunës ndaj një personi që kryen shërbimin publik”.
Në ligjin danez, akuzat e përkohshme janë një hap përpara akuzave formale dhe lejojnë autoritetet të mbajnë të dyshuarit në paraburgim gjatë hetimeve. Motivi i sulmit nuk është i qartë, por në gjykatë, i akuzuari polak, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, dyshohet se e ka vlerësuar Frederiksenin si një “kryeministre shumë të mirë”, megjithatë, hetuesit dyshojnë se ishte nën ndikimin e drogës dhe alkoolit në momentin e sulmit.
Frederiksen, 46-vjeçare, kryeministre e Danimarkës që nga viti 2019, nuk është shfaqur në publik që nga sulmi dhe nuk ka marrë pjesë në ngjarjet publike të partisë së saj pasi rezultatet e zgjedhjeve evropiane dolën të dielën. Partia e saj Socialdemokrate u përball me rezultate më të këqija në zgjedhjet e mbajtura për Parlamentin e BE-së.