Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i ka pezulluar detyrat publike “për të ndaluar dhe reflektuar” nëse do të vazhdojë punën, pasi një gjykatë ka nisur një hetim paraprak ndaj bashkëshortes së tij.
Në një deklaratë, lideri spanjoll ka thënë se ai kishte nevojë të vendoste urgjentisht “nëse duhet të vazhdojë ta udhëheq qeverinë apo të heqë dorë nga ky nder”, raporton BBC.
Gjykata ka thënë se po i përgjigjej pretendimeve për korrupsion ndaj Begona Gomez.
Sanchez ka thënë se gruaja e tij do të mbronte nderin e saj dhe do të bashkëpunonte me gjyqësorin.
Ankesa kundër Begona Gomez u ngrit nga aktivistët kundër korrupsionit Manos Limpias (Duart e Pastra), të cilët kanë marrë pjesë në një numër çështjesh gjyqësore të profilit të lartë në vitet e fundit dhe udhëhiqen nga një njeri i lidhur me të djathtën ekstreme.
Kryeministri spanjoll ka thënë se do të merrte një vendim të hënën më 29 prill, pasi të reflektonte nëse ia vlente të qëndronte në detyrë “pavarësisht baltës” në të cilën e djathta ekstreme po përpiqej ta kthente politikën.