Botë

Kryeministri libanez thërret takim urgjent me ministra pas sulmeve me Izraelin

Sulmet ajrore mes Hezbollahut e Izraelit

Sulmet ajrore mes Hezbollahut e Izraelit

Foto: Associated Press

Kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati, kryesoi një takim ministror urgjent në rezidencën e tij, lidhur me zhvillimet më të fundit, pas sulmeve masive ajrore të Izraelit në Libanin Jugor të dielën herët.

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Tregtisë, Amin Salam, ka thënë pas takimit se ai beson se situata "po shkonte drejt një de-përshkallëzimi në konflikt ushtarak", raporton AP.

Megjithatë, Nasser Yassin, ministri në detyrë i Mjedisit, ka thënë se qeveria është gjithashtu e përgatitur për një përshkallëzim të mundshëm.

Izraeli dhe Hezbollahu në Liban filluan të dielën shkëmbimin e tyre më të rëndë të zjarrit pas disa muajsh sulmesh dhe kundërsulmesh, duke rritur frikën për një luftë të gjithanshme që mund të tërheqë Shtetet e Bashkuara, Iranin dhe grupet militante në të gjithë rajonin.

Mirëpo nga fundi i mëngjesit, sulmet përfunduan, derisa të dyja palët deklaruan se kishin synuar vetëm objektiva ushtarakë.

Autoritetet libaneze thanë se sulmet izraelite lanë të vdekur tre persona, ndërsa nuk pati raportime për viktima nga pala izraelite.

SHBA-ja dhe ndërmjetësuesit e tjerë e shohin një armëpushim në Gaza si çelësin për të shmangur një konflikt  më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Hezbollahu ka thënë se do të ndalojë sulmet ndaj Izraelit nëse arrihet një armëpushim në Gaza.

Bisedime të nivelit të lartë po pritet të zhvillohen në Kajro të dielën. Ato synojnë kapërcimin e boshllëqeve në një propozim për një armëpushim dhe lirimin e shumë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

LEXO EDHE: