Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, mund të japë dorëheqjen e tij në ditët në vijim, kanë bërë të ditura burimet.
Burimet i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters dhe "Globe and Mail" të Kanadasë se 53-vjeçari mund të njoftojë qysh të hënën se do të largohet nga posti i kreut të Partisë Liberale në pushtet në Kanada.
Reuters thotë se nuk është marrë një vendim përfundimtar për dorëheqjen, megjithatë, burimet presin që një njoftim të ndodhë përpara një takimi urgjent të politikanëve liberalë të mërkurën.
Mbetet e paqartë nëse Trudeau do të largohet menjëherë apo do të qëndrojë si kryeministër derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri liberal.
Trudeau ka udhëhequr partinë që nga viti 2013 dhe ka qenë kryeministër që nga viti 2015.
Ai është përballur me thirrjet për të dhënë dorëheqjen nga një numër në rritje i deputetëve të tij për shkak të rezultateve të dobëta në sondazhet e opinionit. Ai është gjithashtu nën presion të shtuar që kur ministri i tij i Financave dha dorëheqjen në dhjetor për shkak të një përplasjeje politike.
Ndryshe nga Britania e Madhe, nuk ka asnjë mënyrë formale që partia e Trudeau ta largojë atë nëse ai dëshiron të qëndrojë.
Nëse anëtarët e kabinetit të tij dhe një numër i madh deputetësh kërkojnë që ai të shkojë, ai mund të arrijë në përfundimin se pozicioni i tij është i paqëndrueshëm.
Në Kanada duhet të mbahen zgjedhje deri në këtë tetor, ku liberalët pritet të humbasin rëndë nga konservatorët e opozitës.