Kryeministri francez, Michel Barnier ka përdorur kompetenca të veçanta për të miratuar një projektligj buxhetor të sigurimeve sociale, pa votim nga deputetët, një lëvizje që pritet të shkaktojë votë mosbesimi në qeveri.
Partitë opozitare tani janë të vendosura ta shkaktojnë votimin i cili mund të zhvillohet të mërkurën herët, dhe të cilit qeveria e pakicës së Barnierit nuk ka gjasa t’i mbijetojë, raporton BBC.
Barnier përdori nenin 49.3 të kushtetutës franceze, i cili lejon që teksti i një projektligji të miratohet pa votim, për të shtyrë buxhetin e tij të vitit 2025 përballë mospajtimit nga opozita e majtë dhe “Tubimi Kombëtar” i Marine Le Pen.
"Unë nuk mendoj se francezët do të na falin për zgjedhjen e interesave partiake mbi të ardhmen e vendit”, u ka thënë Barnier deputetëve të hënën teksa shpjegoi arsyet e vendimit të tij.
"Tani, të gjithë do të duhet të marrin përgjegjësinë e tyre siç kam marrë unë të miat”, ka shtuar ai.
Mathilde Panot e së majtës ekstreme “France Unbowed” (LFI) ka thënë se partia e saj do të kërkojë zyrtarisht një votë mosbesimi këtë pasdite.
Barnier u ftua për të formuar një qeveri nga presidenti Emmanuel Macron në shtator.
Fronti i Ri Popullor, një aleancë e disa partive të krahut të majtë, doli në krye kundër ekstremit të djathtë pas zgjedhjeve të parakohshme në korrik.
