Botë

Kryediplomati hungarez viziton Bjellorusinë pavarësisht sanksioneve të BE-së

Péter Szijjártó

Péter Szijjártó

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó vizitoi Bjellorusinë të mërkurën për bisedime mbi zgjerimin e lidhjeve mes dy shteteve, pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër vendit.

Szijjártó deklaroi gjatë vizitës se “qëndrimi ynë është i qartë: sa më pak sanksione, aq më shumë bashkëpunim!”.

BE-ja ka vendosur një sërë sanksionesh gjithëpërfshirëse ndaj Bjellorusisë për represionin, i cili pasoi protestat masive të nxitura nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat u panë gjerësisht nga opozita dhe Perëndimi si të manipuluara. 

Izolimi i Bjellorusisë u thellua më tej pasi presidenti autoritar Alexander Lukashenko lejoi trupat ruse të përdorin territorin e vendit të tij për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, raporton AP.

Ndonëse tha se "sanksionet nuk funksionojnë", Szijjártó vuri në dukje, megjithatë, se Hungaria "po rrit bashkëpunimin ekonomik me Bjellorusinë në zonat që nuk preken nga sanksionet".

“Ne do të ofrojmë çdo mbështetje për zhvillimin e bashkëpunimit. Ne flasim hapur për këtë, nuk fshehim asgjë”, ka deklaruar Szijjártó.

Zyrtarët bjellorusë dhe hungarezë nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunimin në energjinë bërthamore që parashikon trajnimin e personelit dhe trajtimin e mbetjeve radioaktive.

Hungaria po punon me Rusinë për të shtuar një reaktor të ri në objektin e saj bërthamor në Paks. Bjellorusia ka gjithashtu një termocentral bërthamor të ndërtuar nga Rusia.

Szijjártó bëri një udhëtim në Bjellorusi në shkurt të vitit 2023, duke u bërë zyrtari i parë i lartë nga një vend i BE-së që vizitoi Minskun pasi Perëndimi e goditi atë me sanksione gjithëpërfshirëse pas zgjedhjeve presidenciale të gushtit 2020.