Botë

Kriza klimatike i ekspozoi njerëzit ndaj të nxehtit ekstrem për 6 javë më shumë më 2024

Foto: Reuters / ilustrim

Kriza klimatike ka shkaktuar gjashtë javë më shumë të të nxehtit të rrezikshëm në vitin 2024, duke rritur ndikimin fatal të valëve të të nxehtit në të gjithë botën.

Efektet e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu kanë qenë shumë më të këqija për disa njerëz, ka treguar një analizë nga “World Weather Attribution”.

Gati gjysma e shteteve të botës përjetuan të paktën dy muaj temperatura me rrezik të lartë, raportoi The Guardian.

Studiuesit patën bërë thirrje që vdekjet nga i nxehti të raportoheshin ndërsa ngrehën shqetësimin se numri ishte shumë më i vogël se ai në realitet. Ka mundësi që miliona njerëz që kanë vdekur si rezultat i ngrohjes globale në dekadat e fundit të mos jenë llogaritur në vdekjet nga ky shkak.

“Gati çdokund në Tokë, temperaturat ditore aq të nxehta sa të kërcënojnë shëndetin e njeriut janë bërë më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike”, ka thënë Joseph Giguere, studiues.

Studiuesit zbuluan se një person mesatar ishte i ekspozuar ndaj 41 ditë shtesë të të nxehtit të rrezikshëm jashtë atyre që parashihen të jenë me temperatura të larta. Kjo vë në pah se si krizat klimatike ekspozojnë miliona njerëz ndaj temperaturave të rrezikshme për periudha më të gjata gjatë vitit.

Indonezia që ka 280 milionë banorë ka përjetuar 122 ditë me temperatura të rrezikshme, ashtu si edhe Singapori dhe shtetet e Amerikës Qendrore.

Në Arabinë Saudite njerëzit përjetuan 70 ditë shtesë të nxehta, në një vit kur të paktën 1300 pelegrinë të haxhit vdiqën nga i nxehti ekstrem.

Brazili dhe Bangladeshi përjetuan 50 ditë shtesë, kurse Spanja, Norvegjia dhe shtetet e Ballkanit kishin një muaj ditë më shumë të temperaturave të larta.