Miratimi i projektligjit për dëbimin e emigrantëve për në Ruandë, nga Parlamenti i Britanisë së Madhe të martën, është dënuar nga organizatat ndërkombëtare humanitare.
Drejtori ekzekutiv i “Amnesty International” ka thënë se legjislacioni do të ketë implikim të gjerë mbi udhëheqjen e Britanisë së Madhe dhe për të drejtat ndërkombëtare të njeriut në mbarë botën, raporton “Associated Press”.
“Jam shumë i shqetësuar jo vetëm për legjislacionin dhe ndikimin e tij te refugjatët dhe azilkërkuesit, por në fakt edhe për ndikimin e tij të gjerë”, është shprehur Sacha Deshmukh, drejtor ekzekutiv i “Amnesty International UK”.
Agjencia e OKB-së për refugjatët dhe Këshilli i Evropës i kanë kërkuar Britanisë së Madhe që të rishikojë projektligjin, për shkak të shqetësimeve se legjislacioni minon mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe frikën se do të dëmtojë bashkëpunimin ndërkombëtar në trajtimin e krizës globale të emigrantëve.
Reagimet erdhën pasi autoritetet franceze raportuan të martën për vdekjen e të paktën pesë personave gjatë përpjekjeve të tyre për të kaluar Kanalin anglez me një varkë të mbingarkuar me emigrantë.
Qeveria e Rishi Sunakut thotë se planet për dëbimin e emigrantëve do të ndihmojnë në ndalimin e valës së njerëzve që hyjnë ilegalisht në Britani, sepse emigrantët nuk do të bëjnë kalimin e rrezikshëm me varka, nëse e dinë se ka shanse që të dëbohen për në Ruandë.
Numri i emigrantëve që mbërrinin në Britani me varka u rrit në 45.774 në vitin 2022 nga vetëm 299 sosh katër vjet më parë, pasi njerëzit po ikin nga vendet e tyre si pasojë e luftërave, krizës së urisë dhe vështirësive ekonomike.