Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka theksuar se miratimi i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për pakon e ndihmës së sigurisë për Ukrainën do të çonte në më shumë dëme dhe vdekje në konfliktin atje.
“Vendimi do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara të Amerikës më të pasura, do të shkatërrojë më tej Ukrainën dhe do të rezultojë në vdekjen e më shumë ukrainasve, për fajin e regjimit të Kievit”, u citua të thoshte Peskov nga agjencitë ruse të lajmeve, raporton "Reuters".
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi një pako që ofron 60.84 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë 23 miliardë dollarë për furnizimin e armëve, stoqeve dhe objekteve. Ky projektligj duhet miratuar në Senat.
Peskov tha gjithashtu se dispozitat në legjislacion që lejojnë administratën amerikane të konfiskojë asetet e sekuestruara ruse dhe t’i transferojë ato në Ukrainë për ta financuar rindërtimin, do ta dëmtojnë imazhin e Shteteve të Bashkuara. Rusia, tha ai, do të marrë masa hakmarrëse.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, duke shkruar në “Telegram”, tha se miratimi i ndihmës së SHBA-së për Ukrainën ishte i pritshëm dhe i bazuar në “rusofobinë”.
Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, ka theksuar se miratimi i ndihmës për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin do të “thellonte krizat në të gjithë botën”.
“Ndihma ushtarake për regjimin e Kievit është sponsorizimi i drejtpërdrejtë i aktivitetit terrorist”, shkroi Zakharova në Telegram. “Për Tajvanin, është ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës. Për Izraelin, është një rrugë drejt përshkallëzimit dhe një rritje të paprecedentë të tensionit në rajon”.