Botë

Kremlini thotë se do ta studiojë “planin e fitores” së Zelenskyt nëse detajet publikohen zyrtarisht

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

Kremlini ka thënë të hënën se do ta studionte atë që presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky e quan “plan të fitores” për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, pasi dhe kur të publikohen informacionet zyrtare për të, raporton Reuters.

Zelensky do ia prezantojë planin presidentit amerikan Joe Biden këtë javë dhe dy kandidatëve për president, Kamala Harris dhe Donald Trump, gjatë vizitës në SHBA, ku të martën Zelensky do t’i adresohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Plani, detajet e të cilit Zelensky nuk i ka bërë publike deri më tani, duket të jetë një përpjekje nga Zelensky për ta bindur Washingtonin dhe aleatët e tjerë që të ofrojnë ndihmë të mëtejshme për vendin e tij në një përpjekje për ta detyruar Moskën t’i japë fund konfliktit në kushte të pranueshme për Kievin.

Zyrtarët ukrainas kanë sugjeruar se Rusia mund të ftohet në fund në një samit për ta diskutuar një zgjidhje të konfliktit sipas planit të ri.

“Ne besojmë se nuk duhet të analizohen raportet e mediave. Nëse informacionet për të shfaqen në burime zyrtare, sigurisht që do t’i shqyrtojmë ato. Ka shumë informacione kontradiktore dhe jo të besueshme për të, kështu që jemi shumë të kujdesshëm për këtë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur është pyetur nga reporterët për iniciativën e Zelenskyt.