Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e ka diskutuar idenë e tij për vendosjen e Ukrainës nën kontrollin e përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) me presidentin amerikan, Donald Trump, ka njoftuar Kremlini të premten, shkruan AP.
“Kjo çështje s’është diskutuar gjatë bisedës telefonike (midis Trumpit dhe Putinit) për të cilën ju kemi informuar”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Lideri rus të enjten ka propozuar që Ukraina të vendoset përkohësisht nën administrimin e OKB-së me qëllimin që të zgjidhet një qeveri, siç ka thënë ai, më kompetente për të udhëhequr me vendin. Putini ka thënë se qeveria tranzicionale me mbështetjen e OKB-së mund t’u hapë rrugë bisedimeve për përfundimin e konfliktit.
Kremlini zyrtar pretendon se autoritet e tanishme në Ukrainë janë jolegjitime, dhe se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka qëndruar në pushtet përtej mandatit të tij dhe rrjedhimisht nuk është partner i besueshëm negociator.
Peskov ka deklaruar po ashtu se sulmet e Ukrainës mbi asetet energjetike të Rusisë janë një tregues që Zelensky nuk mund ta kontrollojë ushtrinë e tij.
“Forcat e armatosura të Ukrainës nuk janë duke ndjekur urdhrat prej lidershipit të vendit dhe po vazhdojnë përpjekjet për të goditur infrastrukturën energjetike të Rusisë”, ka thënë Peskov.