Botë

Kremlini: Politika e jashtme e Rusisë dhe ajo e SHBA-së janë në një linjë

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “politika e jashtme” e Uashingtonit dhe Moskës është gjerësisht në linjë tani që Donald Trumpi është në detyrë.

“Administrata e re e SHBA-së po ndryshon me shpejtësi të gjitha konfigurimet e politikës së jashtme. Kjo kryesisht përkon me vizionin tonë”, ka deklaruar Peskov, sipas një postimi të gazetarit të televizionit shtetëror, Pavel Zarubin të dielën në kanalin Telegram.

Komentet e Kremlinit vijnë pasi Trumpi ka fajësuar Kievin për luftën në Ukrainë, duke pretenduar se Ukraina mund të kishte "bërë një marrëveshje" për ta shmangur luftën,. SHBA-ja javën e kaluar votoi pro një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për luftën që nuk e paraqiste Rusinë si agresore.

Trumpi, i cili e ka quajtur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, një "diktator", ka nisur javë më parë bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë, duke lënë mënjanë Ukrainën. Kjo ka alarmuar aleatët e saj evropianë.