Një negociator i rëndësishëm i Kremlinit do të pritet në Washington këtë javë për bisedime me administratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kanë thënë dy burime të njohura me planin.
Kirill Dmitriev, do të bëhet zyrtari më i lartë rus që viziton SHBA-në që nga pushtimi i Moskës në Ukrainë në vitin 2022.
Dmitriev, shefi i Fondit të pasurisë sovrane të Rusisë, i cili është emëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin si i dërguar i posaçëm për investimet dhe ekonominë ndërkombëtare, do të takohet me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, ka thënë një burim për Reuters, duke folur në kushte anonimiteti.
Një burim tjetër ka thënë se Dmitriev do të takohet me Witkoffin të mërkurën.
Takimi i tyre u raportua më herët nga CNN-i, sipas të cilit Dmitriev dhe Witkoff do të zhvillojnë bisedime për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve teksa kërkojnë t'i japin fund luftës në Ukrainë.
“Çka nëse marrëdhëniet e përmirësuara janë pikërisht ajo që i duhet botës për siguri dhe paqe të qëndrueshme globale”, ka thënë Dmitriev.
Udhëtimi i Dmitriev vjen pasi Trump po kërkon të takohet së shpejti me Putinin për të punuar në përmirësimin e marrëdhënieve të dëmtuara dhe pas telefonatave të fundit midis dy liderëve që u fokusuan gjithashtu në arritjen e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën.
Pasi u godit nga sanksionet perëndimore për pushtimin e Ukrainës dhe duke përfituar nga qëllimet e Trumpit për riparimin e marrëdhënieve, Rusia po synon të rikthejë investitorët ndërkombëtarë për të diversifikuar ekonominë e saj.
Ndonëse Dmitriev është ende nën sanksionet e SHBA-së, CNN-i ka raportuar se administrata Trump ka hequr përkohësisht sanksionet për vizitën e tij.
Dmitriev, i konsideruar si anëtari më i zgjuar i elitës ruse nga SHBA, ka thënë në fillim të kësaj jave se të dy vendet kanë filluar tashmë të bisedojnë për një projekt të përbashkët për metalet e rralla të tokës, mes marrëveshjeve të tjera.
Ndërkaq, vetë Putini ka lënë të kuptohet në shkurt se Shtetet e Bashkuara mund të jenë të interesuara për të eksploruar kërkime të përbashkëta për depozitat në Rusi.
Rusia ka rezervat e pesta më të mëdha në botë të metaleve që përdoren për pajisje ushtarake.