Botë

Kremlini: Ka skaduar urdhri i Putinit për të mos goditur infrastrukturën energjetike të Ukrainës

Dmitry Peskov

Një pezullim 30 ditor i sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë i urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin muajin e kaluar ka “skaduar” sipas deklarimit të Kremlinit zyrtar të premten, ka raportuar “The Guardian”.

Më 18 mars Rusia ka njoftuar për armëpushimin e pjesshëm pas një telefonate në mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, por edhe Rusia, edhe Ukraina e kanë akuzuar njëra-tjetrën për thyerjen e saj. 

“Muaji me të vërtetë ka skaduar”, ka deklaruar zyrtari për media i presidentit rus, Dmitry Peskov. 

“Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk ka pasur udhëzime tjera nga komandanti suprem, presidenti Putin”, ka shtuar ai. 

Moratoriumi i shkurtë ishte njëra nga angazhimet e pakta që Trumpi i ka marrë nga Rusia në përpjekjen e tij për të arritur një marrëveshje për armëpushim në konfliktin trevjeçar. 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Rusia asnjëherë nuk ka qenë serioze për moratoriumin dhe se Moska ka vazhduar të sulmoj caqet e energjisë së Ukrainës pavarësisht fjalëve të Putinit.