Kremlini ka thënë se komentet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump në lidhje me Volodymyr Zelensky, të cilin ai e ka quajtur liderin ukrainas një "diktator", janë "të kuptueshme" pasi Zelensky sipas tij, ka bërë "vërejtje të papërshtatshme" për Trumpin.
"Zelensky bën komente të papërshtatshme drejtuar kreut të shtetit. Ai e bën atë në mënyrë të përsëritur”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një intervistë për televizionin shtetëror rus, raporton BBC.
Në fillim të kësaj jave, Zelensky ka thënë se Trumpi "po jetonte në një hapësirë dezinformimi" të krijuar nga Rusia, në përgjigje të pretendimit të presidentit se Ukraina filloi luftën dhe se besimi i Zelenskyt në mesin e ukrainase kishte rënë në 4%.
Por një sondazh i kryer këtë muaj ka zbuluar se 57% e ukrainasve, thanë se i besonin Zelenskyt.
“Asnjë president nuk do ta toleronte këtë lloj trajtimi”, ka thënë Peskov, kështu që reagimi i Trumpit është “plotësisht i kuptueshëm”.