E përditësuar (14:54) - Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka folur të hënën lidhur me zgjedhjet evropiane, duke thënë se po shohin rritje të popullaritetit të partive të krahut të djathtë.
“Ne shohim një trend të rritjes së popullaritetit të partive të krahut të djathtë, e dukshme me sy të lirë”, ka deklaruar Peskov, për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS.
"Pavarësisht se deri më tani pro-evropianët kanë ruajtur pozicionin e tyre drejtues, me kalimin e kohës partitë e djathta do t'i marrin këmbët. Kjo është arsyeja pse ne po e ndjekim nga afër këtë proces”, ka shtuar ai.
E përditësuar (13:50) - AfD-ja e Gjermanisë përjashton kandidatin kryesor nga grupi i saj në PE
Kandidati kryesor për Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë të Gjermanisë do të përjashtohet nga grupi i partisë në Parlamentin Evropian, ka bërë të ditur partia të hënën.
Maximilian Krah kishte pranuar të ndalonte fushatën dhe kishte dhënë dorëheqjen nga bordi drejtues i AfD-së në maj pasi në një intervistë kishte deklaruar se të qenit anëtar i SS-s, (forca kryesore paraushtarake e nazistëve), nuk e bën dikë "automatikisht kriminel", raporton BBC.
Mirëpo ishte shumë vonë që emri i tij të hiqej nga fletëvotimet elektorale të zgjedhjeve të BE-së. Ai do të jetë ende një eurodeputet.
Ai gjithashtu është hetuar nga prokurorët gjermanë për gjoja marrjen e pagesave nga Rusia dhe Kina – akuza që ai i ka mohuar.
Duke iu përgjigjur njoftimit të AfD-së, Krah ka shkruar në mediat sociale se vendimi e dërgon partinë në "rrugën e gabuar dhe dërgon një sinjal shkatërrues për votuesit tanë".
Von der Leyen vihet në kërkim të aleatëve për një mandat të dytë në krye të KE-së
E përditësuar (13:21) - Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen filloi përpjekjet për të krijuar një koalicion të hënën, pasi e djathta ekstreme u rrit në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, duke nxitur presidentin francez Emmanuel Macron të thërriste zgjedhje të parakohshme në Francë.
Von der Leyen, presidentja gjermane e organit të fuqishëm ekzekutiv të Bashkimit Evropian, doli e forcuar nga zgjedhjet katër-ditore në 27 vende, që përfunduan të dielën, pasi Partia e saj e qendrës së djathtë Popullore Evropiane (EPP) fitoi vende, raporton Reuters.
Por për të siguruar një mandat të dytë pesëvjeçar, von der Leyen ka nevojë për mbështetjen e shumicës së liderëve kombëtarë të BE-së dhe një shumicë pune në Parlamentin Evropian.
Rezultatet e përkohshme të hënën u dhanë partive kryesore që mbështetën von der Leyen herën e kaluar - PPE-së, socialistëve dhe liberalëve gjithsej 402 vende në dhomën prej 720 anëtarësh.
Por kjo konsiderohet gjerësisht në Bruksel si një shumicë shumë e ngushtë për rehati. Kështu që von der Leyen mund të kontaktojë gjithashtu të Gjelbërit, të cilët pësuan humbje të mëdha, dhe kryeministren nacionaliste të Italisë, Giorgia Meloni, me të cilën ajo ka punuar ngushtë.
Të dielën vonë mbrëma, von der Leyen ka deklaruar se do të fillonte me përpjekjet për rindërtimin e themelit parlamentar të mandatit të saj të fundit.
"Kam punuar në ndërtimin e një shumice të gjerë të forcave pro-evropiane. Dhe kjo është arsyeja pse, që nga nesër, ne do t'u drejtohemi familjeve të mëdha politike me të cilat kemi formuar platformën”, u ka thënë ajo gazetarëve në Bruksel.
Von der Leyen tregoi se do të fliste me të tjerët pas konsultimeve fillestare, duke i mbajtur opsionet e saj të hapura.
Gjermania nuk do ta ndjekë Francën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme
E përditësuar (13:02) - Presidenti francez, Emmanuel Macron ka reaguar të dielën ndaj rezultateve të zgjedhjeve evropiane duke shpërndarë parlamentin dhe duke shpallur zgjedhje të parakohshme.
Por pavarësisht se partitë opozitare dominojnë zgjedhjet evropiane në Gjermani, një lëvizje e ngjashme nuk do të ndodhë atje.
“Asnjë sekondë nuk ka pasur asnjë tregues se do të zhvillohen zgjedhje të reja”, ka deklaruar zëdhënësi i koalicionit qeverisës në Gjermani, Steffen Hebestreit.
Konservatorët e opozitës, CDU, shënuan 30% të votave. Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) mori rreth 16% ndërsa partia SPD e kancelarit Olaf Scholz pati rezultatin e saj më të keq ndonjëherë në zgjedhjet evropiane, duke u renditur e treta.
Macron doli të dielën me vendimin për zgjedhje pasi partia e tij pësoi humbje të madhe kundrejt partisë së ekstremit të djathtë të Marine Le Penit, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Ai ka deklaruar se ka besim që populli francez do të bëjë zgjedhjen e duhur.
Mirëpo, kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo thotë se ajo ka "vështirësi të kuptojë" pse Macroni zgjodhi të thërrasë zgjedhjet parlamentare vetëm disa javë përpara se qyteti të presë Lojërat Olimpike.
Votimi do të zhvillohet në dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik, ndërsa Lojërat Olimpike do të fillojnë më 26 korrik.
"Ashtu si shumë njerëz, unë u habita kur dëgjova presidentin të vendosë të bëjë një shpërbërje. Një shpërbërje pak para Lojërave, është me të vërtetë diçka që është jashtëzakonisht shqetësuese”, ka deklaruar ajo.
Rezultatet e zgjedhjeve evropiane në disa prej shteteve kryesore
E përditësuar (11:45) - Partitë e ekstremit të djathtë tronditën fuqitë tradicionale në Bashkimin Evropian me fitore të mëdha në vendet parlamentare, duke i shkaktuar një humbje ndër të tjera edhe presidentit francez Emmanuel Macron, i cili thirri zgjedhje të parakohshme legjislative.
Disa fletëvotime po vazhdojnë të numërohen edhe të hënën, por rezultati tregoi se bllokut prej 27 vendesh është zhvendosur qartë në të djathtë.
Në Gjermani, Konservatorët e opozitës, CDU, shënuan 30% të votave. Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) mori rreth 16% ndërsa partia SPD e kancelarit Olaf Scholz pati rezultatin e saj më të keq ndonjëherë në zgjedhjet evropiane, duke u renditur e treta.
Në Francë “Rally National” e Marine Le Penn fitoi 31.5%. Aleanca “Besoin d'Europe” - duke përfshirë Rilindjen e Presidentit Macron - fitoi 14.5%. “Réveiller l'Europe”, grupimi socialist, mori 14%, ndërkaq “La France Insoumise”, një parti populiste e krahut të majtë, fitoi 10.1%
Në Itali “Vëllezërit e Italisë” së ekstremit të djathtë të kryeministrit populist Giorgia Meloni morën 29% të votave, duke mposhtur Partinë Demokratike të qendrës së majtë me pothuajse pesë pikë.
Në Spanjë Partia Popullore Konservatore (PP) mundi Partinë Socialiste të Punëtorëve të kryeministrit Pedro Sánchez me 34.2% të votave, ndërsa partia e Sanchez u rendit e dyta me 30.2%. Vox i ekstremit të djathtë mori 9.6%
Separatisti Vlaams Belang në Belgjikë humbi nga Aleanca nacionaliste New-Flemish, ku u mbajtën edhe zgjedhjet kombëtare dhe rajonale. Kryeministri liberal i Belgjikës, Alexander De Croo njoftoi se do të japë dorëheqjen
Në Holandë “GroenLinks” u bë partia më e madhe, por humbi një vend, duke shkuar nga nëntë në tetë. Partia e Lirisë e Geert Wilders (PVV) doli e dyta.
Ndërkaq Austria është një tjetër vend ku e djathta ekstreme performoi fuqishëm, pasi Partia e Lirisë (FPÖ) fitoi me 25.5%. Partia Popullore Konservatore është aktualisht në vendin e dytë, me 24,7% dhe Social Demokratët me 23,3%.
Në Hungari partia nacionaliste e kryeministrit hungarez, Viktor Orbán u duk se do të merrte më shumë vota në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të së dielës. Me 55% të votave të numëruara, partia “Fidesz” e Orbanit mori 43% të votave, e mjaftueshme për të dërguar 11 delegatë nga 21 vendet totale të Hungarisë në legjislaturën e Bashkimit Evropian.
Partia e ish-kryeministrit Borissov udhëheq në zgjedhjet e BE-së dhe ato nacionale në Bullgari
E përditësuar (11:15) - Partia e qendrës së djathtë e Bullgarisë “GERB” e udhëhequr nga ish-kryeministri, Bojko Borisdov ka marrë shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të vendit, por do t'i duhen të paktën dy partnerë për të formuar një koalicion qeverisës brenda vendit.
Votimi i gjashtë i vendit për Asamblenë Kombëtare në tre vjet u mbajt të dielën paralelisht me zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Të dyja votat u karakterizuan nga apatia që e mbajti pjesëmarrjen në një nivel të ulët rekord prej rreth 30%, raporton AP.
Rezultatet prodhuan një parlament më të fragmentuar, i cili nuk ofron shumë opsione për rivendosjen e stabilitetit politik në vendin anëtar më të varfër të Bashkimit Evropian. Shumë vëzhgues thonë se skenari më i mundshëm janë zgjedhjet e parakohshme paralamentare këtë vit.
Me 64% të votave të numëruara, partia GERB mori 23.7%, e ndjekur nga partia etnike turke “Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë”, e cila çuditërisht doli e dyta me 15.9%.
Katër parti të tjera gjithashtu duket se kanë fituar vende në dhomën prej 240 vendesh, sipas rezultateve të fundit të komisionit zgjedhor.
LEXO EDHE:
Meloni kryeson në votat e BE-së duke forcuar pozitën e saj brenda e jashtë shtetit
Grupi konservator “Vëllezërit e Italisë” i kryeministres Giorgia Meloni fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare evropiane gjatë fundjavës, duke forcuar pozitën e saj si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Me pothuajse të gjitha fletëvotimet e numëruara, “Vëllezërit e Italisë”, fitoi 28.8% të votave, më shumë se katër herë sesa mori në zgjedhjet e fundit të Bashkimit Evropian në vitin 2019, dhe duke tejkaluar po ashtu 26% që siguroi në votën kombëtare të vitit 2022, kur u ngrit në pushtet, raporton Reuters.
"Jam krenare që Italia do të prezantohet në G7, në Evropë me qeverinë më të fortë nga të gjitha. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur në të kaluarën, por po ndodh sot, është një kënaqësi dhe gjithashtu një përgjegjësi e madhe”, ka thënë Meloni herët të hënën nga selia e partisë.
Partia Demokratike e qendrës së majtë të opozitës doli e dyta me 24% të votave, ndërsa një grup tjetër opozitar, Lëvizja 5-Yje, ishte e treta me 9.9% - shfaqja e saj më e keqe në një nivel mbarëkombëtar që nga krijimi i saj në vitin 2009.
Votimi i BE-së tregoi se koalicioni qeverisës i Melonit, i përbërë nga parti që shtrihen nga e djathta e qendrës në të djathtën ekstreme të spektrit politik, pa mbështetjen me më shumë se 47% nga më pak se 43% në vitin 2022.
"Është një nxitje për (qeverinë) për të ecur përpara. Italianët po na japin një mesazh me zë të lartë dhe të qartë për të ecur përpara me punën tonë”, ka shtuar ajo.
Forza Italia, e themeluar nga i ndjeri Silvio Berlusconi, ishte në vendin e katërt me 9.7% të votave, duke tejkaluar Ligën kundër emigrantëve, e cila kishte 9.1%, një zhgënjim për liderin Matteo Salvini, i cili e ka shtyrë fort partinë e tij djathtas.