Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka njoftuar se rreth 3 mijë anëtarë të forcave të sigurisë së vendit janë plagosur që kur militantët e Hamasit sulmuan në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng 240 njerëz. Gati 900 prej tyre janë ushtarë të plagosur që kur Izraeli filloi ofensivën tokësore në fund të tetorit, në të cilën trupat janë përfshirë në luftime të ngushta me militantët e Hamasit. Më shumë se 160 ushtarë janë vrarë që nga fillimi i operacionit tokësor
Igor Tudoran kaloi vetëm 12 orë brenda Rripit të Gazës përpara se një raketë të godiste tankun e tij, duke ia shkaktuar plagën që do t’ia ndryshonte jetën përgjithmonë.
“Tashmë brenda tankut, kur e shihja këmbën në atë gjendje e kuptova se do ta humbisja. Por pyetja ishte se sa do të humbas”, ka theksuar ai, i ulur në një shtrat në spitalin ku po trajtohej që kur u plagos muajin e kaluar.
Tudoran, 27 vjeç, rezervist që doli vullnetar për detyrë pas sulmit të 7 tetorit në Izraelin jugor nga Hamasi që shkaktoi luftën, humbi këmbën e djathtë poshtë ijëve. Ai ka mbajtur qëndrim pozitiv - por pranon se shpresat e tij për t’u bërë elektricist mund të mos jenë më të mundshme.
Tudoran është pjesë e një numri të madh luftëtarësh izraelitë të plagosur, një tjetër segment i madh dhe thellësisht i traumatizuar i shoqërisë izraelite, betejat e të cilit po shfaqen si një kosto e fshehur e luftës që do të ndihet fort për vitet në vijim. Duke pasur parasysh numrin e madh të të plagosurve, avokatët shqetësohen se vendi nuk është i përgatitur t’i adresojë nevojat e tyre.
“Kurrë nuk kam parë plagosje si këto dhe me intensitet si ky”, ka thënë Edan Kleiman, i cili drejton Organizatën jofitimprurëse të Veteranëve me Aftësi të Kufizuara, e cila mbron më shumë se 50 mijë ushtarë të plagosur në këtë dhe konfliktet e mëparshme. “Ne duhet t'i rehabilitojmë këta njerëz”, ka thënë ai.
Numri i të plagosurve
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka njoftuar se rreth 3 mijë anëtarë të forcave të sigurisë së vendit janë plagosur që kur militantët e Hamasit sulmuan në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng 240 njerëz. Gati 900 prej tyre janë ushtarë të plagosur që kur Izraeli filloi ofensivën tokësore në fund të tetorit, në të cilën trupat janë përfshirë në luftime të ngushta me militantët e Hamasit. Më shumë se 160 ushtarë janë vrarë që nga fillimi i operacionit tokësor.
“Ata po shtohen”, ka thënë Yagil Levy, i cili jep mësim për marrëdhëniet civilo-ushtarake në Universitetin e Hapur të Izraelit për të plagosurit. “Mund të ketë një ndikim afatgjatë nëse shohim një përqindje të madhe njerëzish me aftësi të kufizuara që Izraeli duhet t’i rehabilitojë, gjë që mund të prodhojë çështje ekonomike, si dhe çështje sociale”.
Lufta ka sjellë gjithashtu vuajtje të paprecedentë për palestinezët në Gaza, ku më shumë se 21 mijë janë vrarë, afro 55 mijë të plagosur dhe amputimet janë bërë të zakonshme. Shumica e popullsisë së enklavës së vogël është zhvendosur.
Izraelitët ende qëndrojnë kryesisht pas objektivave të luftës dhe ajo shihet kryesisht si një betejë ekzistenciale që synon të rivendosë një ndjenjë sigurie të humbur në sulmet e Hamasit. Mediat kryesore të vendit mezi mbulojnë vështirësitë e duruara nga palestinezët dhe gjendja e tyre mezi regjistrohet në diskursin publik izraelit.
Në një vend me shërbimin e detyrueshëm ushtarak për shumicën e hebrenjve, fati i ushtarëve është një temë e ndjeshme dhe emocionale.
Emrat e ushtarëve të rënë shpallen në krye të lajmeve për orë. Funeralet e tyre janë të mbushura me njerëz të panjohur që vijnë për t’u solidarizuar. Familjet e tyre marrin mbështetje bujare nga ushtria.
Por historikisht gjendja e rëndë e të plagosurve, ndonëse lavdërohen si heronj, u ka zënë vend historive të ushtarëve të vrarë në betejë. Pasi zhurmat rreth tregimeve për shërbimin dhe mbijetesën e tyre tërhiqen, të plagosurit lihen të përballen me një realitet të ri që mund të jetë çorientues, sfidues dhe, për disa, i vetmuar. Numri i tyre nuk ka pasur ndikim të rëndësishëm në ndjenjën publike ndaj luftërave të Izraelit, ashtu siç ka pasur te vdekjet në rritje të ushtarëve.
Ndihmat për ushtarët
Megjithatë, numri jashtëzakonisht i madh i të plagosurve në këtë luftë do të sjellë një kujtesë të dukshme të konfliktit për vitet në vijim.
Kryeministri Benjamin Netanyahu theksoi sakrificën e tyre gjatë një vizite të fundit tek ushtarët e plagosur në Qendrën Mjekësore Sheba, spitali më i madh i Izraelit, i cili ka trajtuar dhe rehabilituar shumë prej të plagosurve. “Ju jeni heronj të vërtetë”, tha ai.
Një burrë që kishte humbur një këmbë pasi u sulmua në festivalin muzikor “Nova” më 7 tetor, ishte shtrirë në diell në ambientet e spitalit, me karrocën e tij me rrota të parkuar aty pranë. Diva izraelite e popit, Rita, shpërndau përqafime për disa ushtarë të plagosur. Një helikopter ushtarak me të tjerë të plagosur u ul aty pranë.
Ministria izraelite e Mbrojtjes ka njoftuar se po punonte me “kapacitetin e plotë” për të ndihmuar të plagosurit dhe se po shkurtonte burokracinë dhe po punësonte punonjës për t’u marrë me fluksin.
Jonathan Ben Hamou, 22 vjeç, i cili humbi këmbën e tij të majtë nën gju pasi një granatë me raketë goditi buldozerin që po përdorte për të ndihmuar në hapjen e rrugës për trupat e tjera, tashmë mezi pret ditën kur të mund të përdorë një financim protetike nga shteti.
Ben Hamou, i cili përdor kryesisht një karrige me rrota që nga incidenti në fillim të nëntorit, tha se ai përfundimisht planifikon të ndjekë qëllimin e tij për të ndjekur një kurs komandantësh ushtarak.
“Nuk kam turp për plagën”, ka theksuar Ben Hamou, i cili filmoi momentin e goditjes së RPG-së, si dhe evakuimin e tij në spital. “Unë u plagosa në luftë për vendin tim. Jam krenar për këtë”.
Por Kleiman, i cili vetë u plagos në një operacion në Rripin e Gazës në fillim të viteve 1990, ka thënë se ai mendon se autoritetet izraelite nuk po e kuptojnë ashpërsinë e situatës.
Grupi i veteranëve me aftësi të kufizuara po shton përpjekjet për të trajtuar ato që ai dyshon se do të jenë nevojat dërrmuese të një kuadri të ri ushtarësh të plagosur. Ai njoftoi se organizata po trefishon fuqinë e saj punëtore, duke shtuar terapistë dhe punonjës për të ndihmuar veteranët e plagosur të lundrojnë në burokraci dhe të përmirësojnë qendrat e rehabilitimit.
Kleiman ka treguar se numri i të plagosurve ka të ngjarë të shkojë afër 20 mijë pasi të përfshihen ata të diagnostikuar me çrregullim stresi post-traumatik.
Ai ka thënë se nëse ushtarët e plagosur nuk marrin kujdesin mendor dhe fizik që u nevojitet, duke përfshirë bërjen e shtëpive ose makinave të tyre të qasshme, kjo mund të pengojë rehabilitimin e tyre dhe të vonojë apo edhe të parandalojë rihyrjen e tyre në fuqinë punëtore.
“Ka të plagosur, jeta e të cilëve është shkatërruar”, ka thënë Idit Shafran Gittleman, një studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare, qendër kërkimore në Tel-Aviv. “Ata do të duhet të përballen me plagën e tyre gjatë gjithë jetës”.
Përktheu: Blerta Haxhiu