Botë

Koreja e Veriut përgatitet të dërgojë trupa shtesë në Ukrainë, thotë Koreja e Jugut

Kim Young un Vladimir Putin

Zyrtarët ushtarak nga Koreja e Jugut kanë deklaruar se Koreja e Veriut po përgatitet të vazhdojë mbështetjen e saj për Rusinë në luftën ndaj Ukrainës. Edhe pse ka pësuar humbje të mëdha në grupin e parë prej rreh 11 mijë ushtarëve, sipas tyre, Koreja e Veriut po planifikon të dërgojë më shumë trupa në Ukrainë, raporton The Guardian

Raportimet se Koreja e Veriut mund të jetë duke planifikuar të dërgojë më shumë trupa në Ukrainë ka ardhur pas deklaratave të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se do të konsiderojë marrëdhëniet me diktatorin veri-korean, Kim Jong-un, pasi e konsideron atë si “djalë të mençur” gjatë një interviste për Fox News. 

Shefi i Stafit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS) Kim Myung-soo ka deklaruar të premten se katër muaj pasi Koreja e Veriut ka dërguar rreth 11 mijë ushtarë si ndihmë për pushtimin rus, një numër i madh i tyre janë lënduar ose vrarë dhe se regjimi tani “po dyshohet se është duke shpejtuar masat dhe përgatitjet për një dërgim të trupave shtesë”. 

JCS-ja nuk ka dhënë detaje për veprimet që Pyongyang është duke konsideruar. 

Koreja e Veriut ka filluar të dërgojë trupa në Ukrainë vjeshtën e kaluar, muaj pasi Kim Jong-un dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin kanë nënshkruar një marrëveshje mbrojtjeje të dizajnuar për të forcuar aleancën kundër asaj që ata e quajnë “hegjemoni perëndimore” të udhëhequr nga SHBA-ja. 
Si këmbim për dërgimin e ushtarëve, municionit dhe armëve, Koreja e Veriut besohet se ka marrë teknologji të sofistikuar të raketave dhe satelitëve. 

Në një intervistë, të enjten, Trumpi ka thënë se po planifikon të angazhohet në rikthimin e marrëdhënieve me Kim Jonh Unin, të cilin e kishte takuar tri herë gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë.