Botë

Koreja e Veriut mbyll të gjitha rrugët për në Jug

r

Koreja e Veriut ka ndërprerë qasjen rrugore dhe hekurudhore në Korenë e Jugut nga e mërkura në një përpjekje për të “ndarë plotësisht” dy vendet, shkruan BBC.

Ushtria e Koresë së Veriut ka thënë se do ta mbyllë dhe bllokojë përgjithmonë kufirin jugor dhe do të forconte zonat në anën e tij.

Ushtria Popullore Koreane (KPA) e përshkroi masën si “vetëmbrojtëse për frenimin e luftës”, duke pretenduar se ishte në përgjigje të stërvitjeve ushtarake në Korenë e Jugut dhe pranisë së shpeshtë të aseteve bërthamore amerikane në rajon.

Vendimi shënon përshkallëzim të armiqësisë në një kohë kur tensionet midis Koreve janë në pikën më të lartë në vite.

“Situata akute ushtarake që mbizotëron në gadishullin Korean kërkon që forcat e armatosura të DPRK-së (Republika Popullore Demokratike e Koresë) të marrin masë më të vendosur dhe më të fortë për të mbrojtur me më shumë meritë sigurinë kombëtare”, ka thënë KPA në një raport të botuar nga media shtetërore KCNA.

Deklarata është hap kryesisht simbolik i Phenianit. Rrugët dhe hekurudhat që çojnë nga Koreja e Veriut në Jug përdoren rrallë dhe janë prishur në mënyrë graduale nga autoritetet koreano-veriore gjatë vitit të kaluar.