Botë

Koreja e Veriut lëshon një raketë të ndaluar me fluturimin më të gjatë deri më tani

Raketa

Foto: Associated Press

Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike ndërkontinentale, e cila fluturoi për 86 minuta, fluturimi më i gjatë i regjistruar deri më tani, dhe mbi 1,000 km, përpara se të binte në ujërat jashtë bregut të saj lindor, kanë bërë të ditur Koreja e Jugut dhe Japonia.

Nisja e raketës të enjten vjen në një kohë të përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy Koreve dhe retorikës gjithnjë e më agresive të Phenianit ndaj Seulit, raporton BBC.

Koreja e Jugut kishte paralajmëruar gjithashtu të mërkurën se Veriu po përgatitej të lëshonte ICBM-në e saj afër zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 5 nëntor.

Ministria e Mbrojtjes e Seulit ka thënë se testi kishte për qëllim të zhvillonte armë që "qëllojnë gjithnjë e më lart".

Koreja e Jugut ka thënë se do të vendosë sanksione të reja ndaj Veriut në përgjigje të lëshimit.
SHBA e quajti nisjen e së enjtes një "shkelje flagrante të rezolutave të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së".

"Kjo vetëm tregon se Koreja e Veriut vazhdon t'i japë përparësi programeve të saj të paligjshme të shkatërrimit në masë dhe raketave balistike mbi mirëqenien e popullit të saj”, ka thënë në një deklaratë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett.

Pheniani gjuajti për herë të fundit një raketë të tillë në dhjetor të vitit 2023, në kundërshtim me sanksionet e OKB-së. Ajo raketë udhëtoi për 73 minuta dhe përshkoi rreth 1000 km.

Në një raport të rrallë të të njëjtës ditë në median shtetërore, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un tha se nisja e së enjtes tregon "vullnetin tonë për t'iu përgjigjur armiqve tanë" dhe e përshkroi atë si "veprim të duhur ushtarak".

"Unë pohoj se Koreja e Veriut nuk do të ndryshojë kurrë linjën e saj të forcimit të forcave të saj bërthamore”, ka thënë Kim.

Veprimi vjen pasi Koreja e Jugut dhe SHBA-ja akuzuan Korenë e Veriut për dërgimin e trupave në Rusi për të mbështetur luftën e Vladimir Putinit në Ukrainë.

Pentagoni vlerëson se rreth 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë vendosur për t'u trajnuar në Rusinë lindore. 

Prezenca e supozuar e trupave të Koresë së Veriut në Rusi ka shtuar shqetësimet në rritje për thellimin e lidhjeve midis Putinit dhe Kim.