Koreja e Veriut dërgoi rreth 600 balona me mbeturina në Korenë e Jugut gjatë natës, ka bërë të ditur Seuli zyrtar të dielën, në lëvizjen e fundit të Phenianit për të zemëruar fqinjin e tij rival.
Balonat që mbanin mbeturina si bishta cigaresh, copa, mbetje letre dhe plastikë, u gjetën në të gjithë kryeqytetin, kanë bërë të ditur autoritetet e Koresë së Jugut, raporton Reuters.
Sipas tyre, ushtria po monitoronte pikën e fillimit dhe po kryente hetim ajror për të gjurmuar dhe mbledhur balonat, të cilat kanë thasë të mëdhenj me mbeturina të varura poshtë tyre.
Koreja e Veriut dërgoi edhe të mërkurën qindra tullumbace që transportonin mbeturina dhe jashtëqitje përtej kufirit të fortifikuar, duke i quajtur ato "dhurata sinqeriteti". Seuli zyrtar u përgjigj me zemërim, duke e quajtur lëvizjen të rrezikshme.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Shin Won-sik, ka thënë gjatë një takimi me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së Austin Lloyd në margjinat e dialogut të sigurisë Shangri-La në Singapor të dielën, se balonat shkelën marrëveshjen e armëpushimit, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut.
Të dy riafirmuan një përgjigje të koordinuar ndaj çdo kërcënimi dhe provokimi të Koresë së Veriut, bazuar në qëndrimin e kombinuar të mbrojtjes Kore e Jugut-SHBA.
Komiteti i Përhershëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut do të mblidhet të dielën pasdite për të diskutuar nëse do të vendoset për t’iu përgjigjur veprimit me balonat e plehrave, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar zyrën presidenciale.
Koreja e Jugut ndaloi propagandën përtej kufirit në vitin 2018 pas një samiti të rrallë me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.