Botë

Koreja e Veriut ka dërguar trupa të reja në Ukrainë, njofton Seuli zyrtar

Seuli

Foto: Associated Press

Shërbimi Inteligjent i Koresë së Jugut ka njoftuar të mërkurën se Koreja e Veriut ka dërguar trupa shtesë për t’i dalë në ndihmë Rusisë, pas humbjeve të rënda që thuhet se i kishte pësuar në vijat e frontit në Ukrainë, ka raportuar AP.

Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me armë konvencionale, dhe vjeshtën e vitit të kaluar kishte dërguar 10,000 deri ne 12,000 trupa ushtarake për të ndihmuar Rusinë, sipas zyrtarëve koreanojugor dhe atyre ukrainas. 

Trupat verikoreane janë shumë të disiplinuar dhe të mirëtrajnuar, por vrojtuesit kanë bërë me dije se ata janë kthyer në shënjestër të lehtë për dronët dhe artilerinë e Ukrainës, për arsye të mungesës së përvojës në fushëbetejë dhe terrenit të panjohur.

Ushtarët verikoreanë ishin dërguar për të luftuar në Ukrainë, pas marrëveshjes ushtarake të nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri verikorean Kim Jong Un në qershorin e vitit të kaluar.

Në janar, zyrtarë perëndimorë kishin hamendësuar se numri i ushtarëve koreanë të vrarë gjatë tre muajve të fundit në Ukrainë shkon prej 1,000 deri në 11,000. Rusia dhe Koreja e Veriut kanë refuzuar të komentojnë rreth këtyre shifrave.