Koreja e Veriut ka dërguar të paktën 3,000 trupa ushtarake drejt Rusisë në fillim të këtij viti, ka njoftuar ushtria e Koresë së Jugut. Kjo thuhet se është bërë në vazhdën e mbështetjes së vazhdueshme për luftën e Kremlinit në Ukrainë.
Ushtarët, të dërguar gjatë muajve janar dhe shkurt, u shtohen 11,000 trupave që Koreja e Veriut ia ka dërguar Rusisë deri më tani, ka njoftuar shtabi ushtarak i Koresë së Jugut. Afërsisht 4,000 prej tyre aludohet se kanë vdekur ose janë lënduar në fushëbetejë, raporton CNN.
Trupat verikoreane janë shumë të disiplinuar dhe të mirëtrajnuar, por vrojtuesit kanë bërë me dije se ata janë kthyer në shënjestër të lehtë për dronët dhe artilerinë e Ukrainës, për arsye të mungesës së përvojës në fushëbetejë dhe terrenit të panjohur.
Ushtarët verikoreanë ishin dërguar për të luftuar në Ukrainë, pas marrëveshjes ushtarake të nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri verikorean Kim Jong Un në qershorin e vitit të kaluar.
Lajmet për mbështetjen e vazhdueshme të Koresë së Veriut vijnë para takimit që do të mbahet të enjten (sot) në Paris midis liderëve evropianë dhe aleatëve, ku do të diskutohet për Ukrainën dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.