Koreja e Veriut ka hedhur të paktën 150 balona që mbanin fleta propagandistike dhe bërllok në Korenë e Jugut, duke bërë që autoritetet të paralajmërojnë banorët që të qëndrojnë brenda, shkruan BBC.
Ushtria e Koresë së Jugut të mërkurën udhëzoi qytetarët të mos i prekin balonat e bardha dhe qeset e plastikeve të lidhura me to, sepse përmbajnë “bërllok”.
Balonat janë gjetur në tetë nga nëntë provincat në Korenë e Jugut dhe po analizohen nga autoritetet përkatëse.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë përdorur balona për propagandë që nga Lufta Koreane në vitet 1950.
Incidenti i fundit vjen disa ditë pasi Koreja e Veriut ka thënë se do të hakmerrej kundër “shpërndarjes së shpeshtë të balonave” në zonat kufitare nga aktivistët në Jug.
