Koreja e Veriut ka hedhur balona me bërllok afër zyrës së presidentit të Koresë së Jugut në Seul, raporton BBC të mërkurën.
Është hera e parë që “objektivi” i balonave ishte zyra e presidentit, e cila ndodhet në zonën e ndalim-fluturimit. Balonat u dërguan nga autoritetet e Koresë së Veriut dhe një ekip i reagimit kimik, biologjik dhe radiologjik u dërgua në vendin ku ato ranë. Analiza zbuloi se nuk paraqesin rrezik kontaminimi.
Agjencia e lajmeve Yonhap raporton se ushtria nuk i rrëzoi balonat për shkak të rrezikut në përmbajtjen e tyre. Balonat u dërguan edhe në pjesë të tjera të Seulit dhe zyrtarët këshilluan popullatën që të mos i preknin dhe t'i raportonin në polici dhe ushtri nëse i shihnin.
Balonat përfunduan në provincën veriore të Gyeonggi, e cila është provinca më e populluar në Korenë e Jugut.
Incidenti vjen disa ditë pasi ushtria e Koresë së Jugut iu përgjigj propagandës përmes altoparlantëve të vendosur përgjatë kufirit.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë përdorur balona për propagandën e tyre që nga Lufta Koreane në vitet 1950. Përdorimi i balonave është përshkallëzuar këtë vit, me Korenë e Veriut që ka dërguar mijëra balona përtej kufirit që nga maji. Ky ishte rasti i dhjetë këtë vit dhe përfaqëson “hakmarrje” për balonat e dërguara nga aktivistët koreano-jugor. Balonat e aktivistëve mbanin fletëpalosje kundër Phenianit, si dhe ushqime, ilaçe, para dhe USB me përmbajtje multimediale.