Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut mbërriti në Rusi të martën për bisedime pasi lufta Rusi-Ukrainë duket se po merrte një kthesë të re të rrezikshme, me NATO-n dhe Korenë e Jugut që shprehën alarmin se trupat e Koresë së Veriut së shpejti mund të bashkohen në anën e Moskës.
NATO-ja ka njoftuar se mijëra trupa të Koresë së Veriut po lëviznin drejt vijës së frontit.
Ky zhvillim ka alarmuar Kievin, i cili ka thënë se sanksionet nuk do të mjaftonin dhe bëri thirrje për më shumë armë dhe një plan ndërkombëtar për të mbajtur larg trupat e Koresë së Veriut, raporton Reuters.
Koreja e Jugut, e cila mbetet teknikisht në luftë me Veriun e armatosur me armë bërthamore dekada pas Luftës Koreane 1950-1953, dënoi gjithashtu dislokimet. Zyrtarët në Seul janë shprehur veçanërisht të shqetësuar për atë që Rusia mund t’i japë Fenianit në këmbim.
Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son Hui mbërriti në lindjen e largët të Rusisë të martën në rrugën e saj për në Moskë, thanë media shtetërore ruse. Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve thanë se nuk ishte e qartë se kë do të takonte Choe, duke bërë vizitën e saj të dytë në gjashtë javë, në Moskë.
Kremlini tha se Putin nuk kishte plane për ta takuar atë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, foli të martën me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol dhe tha se lëvizjet e Koresë së Veriut po e çojnë luftën në një fazë të paprecedentë.
“Përfundimi është i qartë - kjo luftë po ndërkombëtarizohet, duke u shtrirë përtej dy vendeve”, tha Zelenskiy në X.
Yoon i tha Zelenskiyt se nëse Koreja e Veriut merr ndihmë nga Rusia dhe është në gjendje të marrë përvojë dhe njohuri ushtarake nga përfshirja e saj në luftë, kjo do të përbënte një “kërcënim të madh” për sigurinë e Koresë së Jugut, sipas një deklarate nga zyra presidenciale e Koresë së Jugut.
Koreja e Jugut ka thënë se mund të fillojë furnizimin me armë për Ukrainën nëse trupat e Koresë së Veriut i bashkohen luftës së Rusisë. Pentagoni tha gjithashtu të hënën se nuk do të vendosë kufizime të reja në përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina nëse Koreja e Veriut hyn në luftë.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka mohuar praninë e trupave të Koresë së Veriut në vend.
Se çfarë roli mund të luajnë trupat e Koresë së Veriut është e paqartë. Analistët thonë se numri i tyre i vogël dhe aftësitë ndoshta të kufizuara nuk ka gjasa të jenë vendimtare, por ata mund të mbështesin forcat ruse duke ofruar punë manuale ose duke drejtuar pozicione mbrojtëse.