Kushtetuta e Koresë së Veriut tani e definon Korenë e Jugut si një “shtet armik”, raporton media shtetërore,
Gazeta shtetërore, Rodong Sinmun raportoi ndryshimin si një "masë të pashmangshme dhe legjitime", në një kohë kur tensionet midis Koreve janë në pikën më të lartë ndër vite, raporton BBC.
Veriu shpërtheu të martën rrugët dhe hekurudhat që e lidhin atë me Korenë e Jugut - një lëvizje të cilën media shtetërore e përshkruan si "pjesë e zbatimit të planit për të ndarë plotësisht dy Koretë”.
Disa vëzhgues e shohin amendamentin kushtetues si një lëvizje kryesisht simbolike, duke pasur parasysh se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un hoqi dorë nga bashkimi që në dhjetor të vitit 2023.
Në atë kohë, media shtetërore raportoi se Kim ka thënë se marrëdhëniet ndërkoreane ishin bërë "një marrëdhënie midis dy vendeve armiqësore dhe dy vendeve ndërluftuese”.
Ai e ka deklaruar bashkimin me Korenë e Jugut si të pamundur dhe ka lënë të kuptohet për ndryshime kushtetuese për të përcaktuar Jugun si "armikun kryesor".
Një varg shkëmbimesh midis Koreve që atëherë, veçanërisht në muajt e fundit, ka bërë që të ketë rritje të tensioneve midis dy vendeve.