Botë

Koreja e Jugut nis inspektimin e sigurisë të të gjitha linjave ajrore

Koreja e Jugut

Foto: Associated Press

Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut ka urdhëruar një inspektim urgjent të sigurisë të të gjitha operacioneve të linjave ajrore të vendit, teksa autoritetet planifikojnë një kontroll të veçantë të të gjithë aeroplanëve Boeing 737-800.

Vendimi vjen një ditë pasi 179 persona vdiqën si pasojë e përplasjes dhe më pas shpërthimit në flakë të një avioni të kompanisë “Jeju Air”, gjatë lëshimit në pistë në Kore të Jugut, raporton The Guardian.

Qeveria ka bërë të ditur se do të kryejë auditimin e të gjithë 101 avionëve në operimin e brendshëm, bashkë me hetuesit amerikanë.

Choi Sang-mok, i cili u emërua president dy ditë përpara katastrofës, ka thënë se një inspektim i thellë është thelbësor për të riparuar sistemin e sigurisë së aviacionit.

Ai po fliste teksa u raportua se një aeroplan pasagjerësh që i përkiste po ashtu “Jeju Air” u detyrua të kthehej në aeroportin Gimpo në Seul menjëherë pasi u ngrit të hënën, pas një problemi të paspecifikuar me pajisjen e tij të uljes.

Mosfunksionimi i mjeteve të uljes është ndër çështjet që synohen nga hetimi për përplasjen e së dielës, i cili ndodhi pasi avioni rrëshqiti përgjatë pistës në atë që industria e aviacionit e përshkruan si "ulje barku".

Zyrtarët kanë konfirmuar se 179 nga 181 pasagjerët dhe ekuipazhi vdiqën kur avioni i “Jeju Air” u përplas me një mur në aeroportin ndërkombëtar “Muan” pak pasi u përpoq të ulej pa vendosur pajisjen e tij të uljes. Është katastrofa më e keqe e aviacionit civil të vendit.

Vetëm dy persona, anëtarë të ekuipazhit, arritën të mbijetonin pasi ndodheshin te bishti i avionit i cili shpërtheu në flakë dhe u copëtua pas përplasjes me murin. Ata po trajtoheshin në një spital në Seul.

LEXO EDHE: