Botë

Koreja e Jugut kërkon tërheqjen e menjëhershme nga Rusia të trupave të asaj të Veriut

Koreja e Jugut

Foto: Associated Press

Koreja e Jugut kërkoi të hënën tërheqjen e menjëhershme të trupave të Koresë së Veriut të vendosura në Rusi, teksa thirri ambasadorin rus për të protestuar ndaj thellimit të bashkëpunimit ushtarak midis Phenianit dhe Moskës. 

Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut ka thënë të premten se kishte konfirmuar se Koreja e Veriut ka dërguar 1,500 forca të operacionit special në Rusi këtë muaj, për të mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës. 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky më herët ka thënë se qeveria e tij kishte informacione se 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut po përgatiteshin për t'iu bashkuar forcave pushtuese ruse.

Gjatë një takimi me ambasadorin rus, Georgy Zinoviev, zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Hong Kyun "dënoi me termat më të ashpër" dërgimin e trupave të Koresë së Veriut.

Ai ka thënë se kjo përbën "një kërcënim të rëndë sigurie" për Korenë e Jugut dhe komunitetin ndërkombëtar, thuhet ndër të tjera në një deklarayë të ministrisë.

Kim ka thënë se Koreja e Jugut në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar do të mobilizojë të gjitha mjetet në dispozicion për t'u marrë me një akt që kërcënon interesat e saj jetike të sigurisë kombëtare, sipas deklaratës. 

Ambasada ruse citoi Zinoviev të ketë thënë se bashkëpunimi ruso-koreanoverior nuk ka synime kundër interesave të sigurisë së Koresë së Jugut.

Në një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte të hënën, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol ka thënë se Seuli nuk do të rrijë duarkryq nga bashkëpunimi ushtarak "i pamatur" midis Phenianit dhe Moskës. 

Yoon tha se Koreja e Jugut së shpejti do të dërgojë një delegacion në NATO për të shkëmbyer informacione në lidhje me bashkëpunimin ruso-koreanoverior, sipas zyrës së Yoon. 

Rutte ndërkaq ka shkruar në X se Koreja e Veriut duke luftuar përkrah Rusisë do të "shënonte një përshkallëzim të rëndësishëm".

SHBA-ja dhe NATO-ja nuk kanë konfirmuar se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi. Por raportet për praninë e tyre tashmë kanë ngjallur shqetësime në Korenë e Jugut se Rusia mund t'i sigurojë Koresë së Veriut teknologji të sofistikuara që mund të përmirësojnë ndjeshëm programet bërthamore dhe raketore të Veriut në këmbim të dërgimit të trupave të saj.