Koreja e Jugut do të mbajë zgjedhje të parakohshme presidenciale më 3 qershor për të mbushur boshllëkun e krijuar nga shkarkimi i presidentit, Yoon Suk Yeol, ka njoftuar kryeministri i vendit, Han Duck-soo, transmeton agjencia e lajmeve AP.
Lajmërimi ka ardhur katër ditë pasi Gjykata Kushtetuese e largoi presidentin prej pozitës për shkak të vendimit që ai pati marrë në muajin dhjetor, për të shpallur ligjin ushtarak me qëllimin për të zgjeruar pushtetin e tij politik.
Sipas ligjit, Koreja e Jugut duhet të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit 60-ditor. E presidenti i ardhshëm do të shërbejë një mandat 5-vjeçar.
Polarizimi i skajshëm shoqëror do të karakterizojë zgjedhjet e planifikuara, me dy partitë kryesore, Partia e Fuqisë së Popullit e Yoonit dhe rivalët e Partisë Demokratike, të cilat kanë shumicën në Asamblenë Kombëtare.
Vendimi i pakuptueshëm i Yoon për të shpallur ligjin ushtarak, i cili nxori trupa të armatosura në rrugët e Seulit dhe shpërfaqi të kaluarën traumatike të vendit nga periudha e sundimit ushtarak, ishte goditje për reputacionin e partisë, ndonëse partia nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt.
Yoon pati shkelur procedurën formale të shpalljes së ligjit ushtarak dhe shpallja e tij ishte jokushtetuese pasi nuk kishte krizë të rëndë kombëtare në atë kohë që mund ta justifikonte vendimin e presidentit.
Në një proces tjetër gjyqësor, Yoon qe arrestuar në janar për kryengritje, por ishte liruar në mars, ndërsa akuzat ndaj tij ende qëndrojnë.