Çmimet e produkteve ushqimore dhe pijeve mund të rriten deri në 20 për qind në vitin 2025 nëse vazhdojnë sfidat me burime dhe transportin e mallrave, ka paralajmëruar Instituti i Prokurimit dhe Furnizimit (CIPS).
Çmimet e elektronikës, makinerive, kimikateve dhe produkteve të naftës gjithashtu mund të rriten, ka paralajmëruar tutje CIPS. Kjo si rezultat i paqëndrueshmërisë gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme, pengesat në zinxhirin e furnizimit dhe çështjet e sigurisë kibernetike, raportoi The Guardian.
Blerja dhe furnizimi i artikujve, përfshirë ushqimin dhe pijet, mund t’u kushtojë bizneseve më shumë këtë vit e që kjo do të pasojë edhe për konsumatorët më pas, sipas shoqatës ndërkombëtare të tregtisë që përfaqëson 64,000 organizata në zinxhirin e prokurimit dhe furnizimit në 150 shtete.
Çmimet e produkteve të përditshme mund të rriten edhe më tepër nëse Donald Trump vazhdon me kërcënimet për të aplikuar tarifa për mallrat që hyjnë në SHBA pas inaugurimit të tij si president më 20 janar.