Botë

Kongresi amerikan synon ta shmang mbylljen e qeverisë, pas refuzimit të Projektligjit të Trumpit

Donald Trump

Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shtuar përpjekjet të premten për ta shmangur mbylljen e pjesshme të Qeverisë, vetëm pak orë pasi me dhjetëra republikanë si dhe ligjvënësit demokratë e hodhën poshtë kërkesën e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për të përdorur masa për ta ngritur tavanin e borxhit kombëtar.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, është munduar ta hartojë një shteg për ta kaluar atë në të dyja dhomat e Kongresit, nën kontrollin e ngushtë të republikanëve, dhe në Senatin me shumicë demokrate, teksa po i afrohet fundi afatit përfundimtar të së premtes për buxhetin, raporton Reuters.

"E kemi një plan”, tha Johnson para gazetarëve të premten në Capitol. “Po i presim votat në mëngjes”.
Republikanët konservatorë e hodhën poshtë të enjten kërkesën e Trumpit për ta ngritur kufirin e borxhit, në atë që do të mund t’ia shtonte edhe disa trilionë dollarë borxhit prej 36 trilionë dollarësh të Qeverisë.

Trumpi, i cili do ta marrë detyrën e presidentit në janar, gjatë natës e ashpërsoi retorikën duke bërë thirrje për pezullimin pesëvjeçar të tavanit të borxhit në SHBA edhe pasi anëtarë të partisë së tij shprehën rezerva për zgjatjen e mëhershme të këtij afati për dy vjet. 

Marrëveshja e mëhershme dypartiake është luhatur pasi Trumpi dhe aleati i tij Musk, njeriu më i pasur i botës, dolën kundër tij të mërkurën. Alternativa e përpiluar në nguti dhe e mbështetur nga Trumpi dështoi, pasi 235 ligjvënës të Kongresit votuan kundër tij të enjten vonë.

Masa e rishikuar do ta mbante buxhetin aktual federal prej 6.2 trilionë dollarësh në nivelin aktual deri në mars dhe do të ofronte 100 miliardë dollarë si ndihma për fatkeqësi. Por nuk do t’i përfshinte edhe masat e tjera që u përfshinë për t’i akomoduar kërkesat e demokratëve, të cilët e kontrollojnë Senatin si dhe Shtëpinë e Bardhë edhe për katër javë të tjera.

Në Shtëpinë e Bardhë thanë se presidenti, Joe Biden, është kundër rishikimit të Projektligjit.

Mospajtimet e mëhershëm për tavanin e borxhit patën dridhur tregjet financiare, teksa bllokimi i qeverisë do të prodhonte pasoja kreditore në botë. Kufiri është pezulluar në kuadër të një marrëveshjeje së cilës afati teknikisht i skadon më 1 janar.